28 janar 2009

Bayerni shkatërron Stuttgartin

Skuadra e Bayern Munichut e ka deklasuar Stuttgartin me rezultat 5-1 në ndeshjen e vlefshme për Kupën e Federatës Gjermane të Futbollit, DFB Pokal.
Kampionët gjermanë e filluan vrullshëm takimin duke shënuar tri herë që në pjesën e parë. Serinë e golave e hapi Bastian Schweinsteiger, i cili shënoi që në minutën e 14-të. Katër minuta më pas (18’), mesfushori francez Franck Ribery dyfishoi epërsinë. Para fundit të pjesës së parë (43’), bavarezët shënuan edhe njëherë, ndërsa këtë herë ishte radha e sulmuesit italian Luca Toni. Ashtu si në fillimin e pjesës së parë, edhe në fillim të të dytës shënoi mesfushori gjerman, Bastian Schweinsteiger, por këtë radhë nga pika e bardhë (55’). Për ta bërë rezultatin 5-0 u kujdes braziliani Ze Roberto (59’). Krejt çka bëri skuadra vendase e Stuttgartit ishte një gol i nderit i shënuar në fund të takimit (85’), nga sulmuesi Mario Gomez.