22 janar 2009

“Rinovimi i Nedved me të njëjtat kushte ekonomike”

Juventusi vazhdon të jetë në kërkim të një zëvendësuesi të Pavel Nedvedit, por sipas zërave të fundit nga ambientet e selisë bardhezi, mësohet se mesfushori çek është i gatshëm të rinovojë edhe për një sezon tjetër, marrëveshjen me “Zonjën e Vjetër”. Gjithsesi, një mundësi e tillë do të ishte e mundur vetëm në rast se presidenca juventine do të ishte e gatshme të mos kërkonte reduktimin e pagës vjetore (2.5 milionë euro) që aktualisht përfiton “Arusha çeke”. Mino Raiola, menaxheri i futbollistit bardhezi, e ka konfirmuar diçka të tillë: “Dëgjojmë zëra nga më të ndryshmet, por mendoj se Pavel Nedved mund të zhvillojë një tjetër sezon të shkëlqyer me Juventusin. Gjithsesi, kontrata e tij me këtë skuadër skadon në fund të këtij sezoni dhe nëse drejtuesit e klubit torinez janë të gatshëm të rinovojnë marrëveshjen me ne, kushtet tona ekonomike janë të njëjta me ato aktuale, as një qindarkë më pak”.