15 janar 2009

Procesi “Calciopoli”. Moggi thërret Berlusconin si dëshmitar

Katërqind e nëntëdhjetë e tetë. Po, 498. Ky është numri i dëshmitarëve të mundshëm të thërritur nga Luciano Moggi dhe nga avokati i tij Paolo Trofino, në prag të procesit mbi “Calciopolin”, që do të startojë më 20 janar në Gjykatën e Napolit. Janë të shumtë emrat e njerëzve të rëndësishëm. Mbi të gjithë, është ai i kryeministrit italian Silvio Berlusconi. Ish-drejtori i përgjitshëm i Juventusit ka thirrur praktikisht gjithë presidentët e klubeve të Serisë A, të kampionateve që janë objekt hetimi nga prokuroria (2004-’05 dhe 2005-’06), pa harruar këtu as drejtuesit e Federatës Italiane të Futbollit të asaj periudhe. Listë e gjatë dëshmitarësh edhe për akuzën e përfaqësuar nga Filippo Betarice dhe Giuseppe Narducci, të cilët kanë thirrur për të dëshmuar 108 persona. Nga Atilio Aurichio (zyrtari që ka drejtuar për dy vite hetimet në botën e futbollit) deri te trajnerë, si Carlo Ancelotti, Carlo Mazzone dhe Zdenek Zeman, përveç Adriano Gallianit dhe Roberto Mancinit. Procesi duhet të vërtetojë, nëse ekzistonte realisht një “sistem” i aftë të garantonte një ecuri sportive në favor të Juventusit, nëpërmjet korruptimit të gjyqtarëve kryesorë të ndeshjeve dhe të anësorëve.