25 janar 2009

Juventus kryeson në Serie A

Ndeshja kryesore e javës së njëzet në Serie A është zhvilluar të shtunën mbrëma në Stadio Olimpico të Torinos ku janë takuar Juventusi dhe Fiorentina. Bianconerët kanë arritur të fitojnë tre pikë të arta në këtë ndeshje të bukur dhe shumë të vështirë për t’u fituar, pasi kanë fituar kundër Violas me rezultat minimal prej 1-0. Zonja e Vjetër zhvilloi një pjesë të parë shumë më të mirë se kundërshtari, megjithatë në raste të caktuara ka mundur të dënohet nga kundërsulmet e Violas.
Rastet e bardhezinjve u konkretizuan në minutën e 21-të, kur pas një superpasimi të kapitenit Alessandro Del Piero, Claudio Marchisio (i cili këtë mbrëmje luajti në vend të Momo Sissokos së suspenduar) e mposhti portierin Sebastian Frey. Deri në fund të pjesës së parë u shpërdoruan disa raste nga të dyja anët, ndërsa vendasit ishin më dominues. Te Fiorentina vlen të përmendet një traversë, si dhe dy momente të dyshimta për një penallti dhe një pozitë jashtë loje. Në pjesën e dytë nuk u shënuan gola, mirëpo u zhvillua një ndeshje shumë e bukur me shumë raste, por fatkeqësisht pa gola. Fiorentina pati shumë raste për ta barazuar rezultatin, mirëpo lojtarët me fanellat vjollcë nuk arritën ta kalonin portierin më të mirë në botë, Gigi Buffon, i cili i përkujtoi të gjithë se është kthyer në portën e Juves. Nga ana tjetër, edhe te Bianconerët nuk munguan rastet, por edhe ata nuk u treguan të vendosur para portës së Sebastian Freyt. Me këtë fitore, Juventus barazohet me pikë me Interin, ndërsa për shkak të golaverazhit më të mirë kalon në pozitën e parë në tabelë. Rikujtojmë që Zikaltrit të dielën do ta zhvillojnë ndeshjen e javës së njëzet kundër Sampdorias në Giuseppe Meazza, por do të jenë të hendikepuar pasi do të luajnë pa sulmuesin kryesor, Zlatan Ibrahimovic, i cili është i suspenduar.