18 janar 2009

Juve nuk e shfrytëzon dështimin e Interit

Derbi kryesor i javës së nëntëmbëdhjetë në Serie A është zhvilluar në Stadio Olimpico të Romës ndërmjet Lazios dhe Juventusit, ndeshje e cila ka përfunduar me rezultat të barabartë 1-1. Bardhezinjtë e nisën takimin sërish në mungesë të portierit kryesor, Gianluigi Buffon, i cili porsa është kthyer nga lëndimi është ftohur. Po ashtu te Juve mungonte dhe njeriu kryesor i mbrojtjes, Giorgio Chiellini, ndërsa tashmë dihet për numrin e madh të lojtarëve tjerë të cilët mungojnë si pasojë e lëndimeve. Pjesa e parë e takimit, sa i përket lojës, i takoi kryesisht Lazios, mirëpo përfundoi me rezultat të barabartë. Biancocelestët krijuan disa mundësi në fillim të ndeshjes, por arritën të shënojnë vetëm një herë, edhe atë me ndihmën e portierit mysafir. Golin e kryeqytetasve e shënoi Cristian Ledesma (25’) nga gjuajtja e lirë, mirëpo fajtori kryesor ishte portieri i Juventusit, Manninger, i cili bëri një gafë duke e futur topin në rrjet. Bianconerët barazuan në rastin e parë që iu dha në gjysmëlojën e parë. Një gjuajtje nga këndi e shfrytëzoi më së miri mbrojtësi, Olof Mellberg, duke lënë avantazhin e vendasve të zgjatë vetëm pesë minuta (30’). Në pjesën e dytë të ndeshjes u tregua një Juventus ndryshe, më ofanziv dhe më kërkues ndaj golit, megjithatë rastet e shumta nuk u shndërruan në gol. Në minutat e fundit të takimit pati raste në të dyja anët, mirëpo as njëra e as tjetra skuadër nuk arriti të ndryshojë asgjë. Lazio me këtë pikë të fituar mban vendin e shtatë me një pikë më tepër se rivali i qytetit, Roma, dhe një pikë më pak se Fiorentina që gjendet në vendin e gjashtë. Me këtë barazim, Juventusi nuk e shfrytëzoi dështimin e Interit për t’iu afruar më tepër, ndërsa tash është tre pikë pas liderit, dhe tre pikë përpara Milanit, i cili e shfrytëzoi më së mirë këtë javë për t’iu afruar kreut.