05 janar 2009

Derbi Juve-Inter për Diegon

Viti 2009 duket se do të jetë ai, që do të sjellë Diegon në Itali. Mbetet të shihet vetëm se ku do të sistemohet talenti brazilian. E sigurtë është që lojtari dëshiron të largohet nga Bundesliga, ku ka bërë gjëra të jashtëzakonshme me Verder Bremenin, duke realizuar plot 34 gola në 75 ndeshje. E tani duket se i është ngritur mendja që të kalojë në Serinë A. Fantazisti nuk dëshiron të detyrojë me forcë klubin aktual për ta shitur, megjithatë duket e sigurt që nuk do të qëndrojë në Gjermani deri në vitin 2011, siç parashikon kontrata e tij. Në qershor do të flasë me drejtuesit e Verderit dhe do të kërkojë një zgjidhje, që të kënaqë të gjithë. Dueli Mbi brazilianin, prej kohësh kanë hedhur sytë Inter e Juventus. Klubi zikaltër mund ta kishte marrë katër vjet më parë, por nuk u bë asgjë. “Zonja e Vjetër”, pothuajse e kishte marrë gjashtë muaj më parë, por pastaj, për arsye taktike, Klaudio Ranieri e kundërshtoi transferimin. Vlerësimi vërtitet te rreth 25 milionë eurot, por Verderi duhet të bëjë llogaritë me mundësinë që Diego t’i drejtohet klauzolës së FIFA-s. Një hipotezë, që lojtari nuk do ta donte të bëhej realitet, por që gjithsesi është një opsion me të cilin drejtuesit e klubit gjerman duhet të përballen. Operacioni mund të përfundojë me sukses për shumën e 20 milionë eurove.Fiorentina Përveç Interit dhe Juves, Diego është edhe në shënjestrën e një pretendenteje të tretë. Fiorentina, faktikisht, edhe pse nuk ka risitë që zotërojnë dy rivalet, është në gjendje të lëvizë me efektshmërinë e duhur në merkato. Dhe nënvlerësimi do të ishte një gabim. Për momentin është e pamundur të thuhet sesi do të përfundojë kjo garë midis tre skuadrave. Megjithatë, diçka duket e pamohueshme: Diego është aq afër zbarkimit në Itali, sa nuk mund ta imagjinojë dot askush.