15 janar 2009

Del Piero: Titujt i kam fituar në fushë!

Kapiteni bardhezi shijon golin ndaj Sienës: Shpresoj që portierët të mos dinë si ta vendosin barrierënThuajse një fotokopje. Aleksi i 2009-s bën atë që bënte më 2008-n. Një tjetër gol, aq sa mjaftoi për ta ngrohur një pasdite të ftohtë në Torino, që ta mundë Sienën dhe të shkurtojë largësinë ndaj Interit kryesues. Një tjetër gol me goditje dënimi. Dhe tani janë 6:4 në kampionat dhe 2 në Champions. REKORD - Kështu, me goditjen e radhës, Del Piero thyen një tjetër rekord: me goditje dënimi nuk kishte shënuar ndonjëherë kaq shumë, duke thyer arritjen e sezonit 2005-2006. Shtatë janë golat e shënuar në 18-të javët e para të kampionatit. “Jemi të lumtur për fitoren, por duhet të vazhdojmë kështu. Është e qartë se, pavarësisht nga fitoret tona, edhe të tjerët duhet të humbasin disi terren, nëse duam të pretendojmë,” - shpjegon kapiteni. Ndërkohë, Juventusi ka rifilluar të vrapojë më shumë sesa Interi, nga -6 në -4, gjithçka në 90 minuta. Jënë gjithnjë temperatura të ulëta, por largësia s’duket edhe aq e largët. Aleksi i 2009-s e di, besonte. E vërtetë, e kishte deklaruar para se të rihapej gjuetia ndaj kryesueses. U tha, u bë. Duhej një gol i tij, për të zhbllokuar një skuadër disi të ftohtë, për të thyer një kundërshtar të mirorganizuar, me atë “romb” në mesfushë, që dukej si një ajsberg në mes të oqeanit. GARRINCA - Dhe goli i shënuar me goditje dënimi vjen pas 33 minutash. Dikush sugjeron që goli ndaj Sienës paska diçka të ngjashme me atë të dytin, i shënuar në shtëpinë e Realit të Madridit. Del Piero s’është dakord: “Por barriera ishte e vendosur ndryshe nga ajo e Sienës, të dielën”. Po, tashmë është e vërtetë që asnjë nuk e di më se ku ta vendosë barrierën, kur godet Del Piero. “Ndodhte kështu edhe me Garriçën,” - tregon ish-milanisti i famshëm Jose Altafini, nga ata që me Garrincën ka luajtur dhe fituar shumë. Del Piero qesh: “Shpresoj të vazhdoj kështu, shpresoj që portierët të mos e dinë më ku ta vendosin barrierën, përndryshe, nuk do të shënoj më gola me goditje standarde.” TITUJT - Për Aleksin e 2009-s, gjërat shkojnë menjëherë mirë. Shënon dhe pastaj vrapon të festojë pranë flamurit të këndit: një grusht në qiell dhe ikën. Shënon, zhbllokon rezultatin dhe shpërthen para tifozëve bardhezinj, të cilët kishin vendosur dy parulla gjigante: 28 dhe 29, si titujt që tifozët e Juventusit kërkojnë t’u rikthehen. Del Piero bashkohet. Më mirë, shpjegon: “Unë përsëris vetëm atë që kam thënë gjithnjë: ata tituj i ndiej të mitë, sepse i kam fituar në fushë”. Historia vazhdon, kampionati po ashtu: “Na presin tri ndeshje të vështira dhe nesër ndeshja e Kupës së Italisë ndaj Catanias. Do të vazhdojmë t’i marrim gjërat me radhë”. Ndërkohë, Interi është -4. Siena u mund, por nuk ishte një pasdite e lehtë. E thotë edhe presidenti Giovanni Cobolli Gigli: “Në fund, pata pak frikë, por, për fat të mirë, kemi Del Pieron”. Me golin e shënuar ndaj Sienës, kapiteni juventin shkon në kupën 253 me fanellën bardhezi. Por nuk ka mbaruar akoma faza e parë e kampionatit…