12 janar 2009

Del Piero rihap kampionatin

Interi barazon dhe Juventusi përfiton. Është pikërisht ky epilogu i javës së 18-të të Serisë A. Takimi Juventus-Siena është vendosur nga një goditje dënimi e Alesandro Del Pieros, i cili në minutën e 33-të ka shënuar golin e tij të 162-të personal, e të 7-in në kampionat. Falë kësaj fitoreje 1-0 ndaj Sienës, “Zonja e Vjetër” qëndron vetëm 4 pikë larg zikaltërve kryesues. Ndërkaq, Napoli me shumë vështirësi arrin të fitoj 1-0 ndaj Katanias. Në minutën e 66-të, Hamshik humbet një 11-metërsh, por fatmirësisht në minutën e 80-të është Maxhio ai që dhuron tri pikët skuadrës napolitane, e cila tani ngjitet në kuotën e 33 pikëve. Por nuk ka qenë kaq me fat Fiorentina, e cila është shembur në “Artemio Franki”, 1-2, nga Leçe, që ka siguruar tri pikë të arta për qëndrimin e saj në Serinë A. E vetmja skuadër e madhe që nuk ka zhgënjyer parashikimet e bëra është Lacio, e cila në “Rexhio Kalabria” fiton me rezultatin 2-3. Në fakt është Rexhina ajo që kalon e para në avantazh, me një gol të Koradit, por më pas ka qenë Pandev që ka barazuar rezultatin. Mirëpo ai s’është mjaftuar me kaq, pasi ka shënuar edhe golin e dytë për të tijtë, në minutën e 21-të. Gol ky, qëka zgjuar Rexhinën, duke e bërë të reagojë e për rrjedhojë të barazojë në minutën e 63-të me anë Kocës. Por ja që nuk dorëzohet Pandev, i cili realizon dhe golin e tij të tretë personal në këtë takim, duke i ngjitur bardhekaltrit në kuotën e 30 pikëve. Ndërsa Rexhina pozicionohet në vend të parafundit, me vetëm 13 pikë. Ndërkaq, sfida Bolonja-Kievo ka përfunduar në barazim 1-1. Goli i parë është shënuar nga skuadra e Kievos,në minutën e 43-të, me anë të Peliser. Gëzim ky që ka zgjaturfare pak, pasi vetëm një minutë më pas Di Vaio ka gjetur rrjetën kundërshtare nga pika e bardhë e 11-metërshit, duke marrë kështu kreun e golashënuesit më të mirë të kampionatit italian, me plot 13 gola. Një tjetër emër interesant, që vlen të përmendet është edhe trajneri i Bolonjës, Sinisha Mihajloviç. Që kur ka marrë drejtimin e skuadrës kuqeblu, Bolonja e tij nuk është mundur në asnjë takim. Ndeshje spektakolare ka qenë ajo ndërmjet Palermos dhe Atalantës. Skuadra palermitane udhëhiqte takimin gjatë pjesës së parë me rezultatin 2-0, mirëpo zikaltrit e Atalantës arritën të barazonin. Kur duheshin veçse pak minuta nga përfundimi i krejt ndeshjes, Kavani ka shënuar një gol me të vërtetë mrekullueshëm, duke i dhënë fitoren skuadrës palermitane, e duke e çuar atë në kuotën e 26 pikëve. Në “Friuli” ndërmjet Udinezes dhe Sampdorias gjithçka ka përfunduar në barazim 1-1. Sampdoria shkon në kuotën e 20 pikëve, por me një ndeshje më pak, të cilën do ta luajë përballë Romës në “Olimpiko”