22 janar 2009

Del Piero: Kampionati, gjithmonë i hapur

Kapiteni bardhezi ka marrë numrin më të madh të vlerësimeve në mbrëmjen e çmimeve Oskar të futbollit

Ka ardhur një tjetër sfidë për kampionatin, një duel i ri. Dhe është i përhershmi Del Piero “i vjetër”. Ale 2008 dhe versioni i tij i ri (Ale 2009) janë prezent në Milano, aty ku janë dhënë çmimet Oskar të Futbollit. Ai është gjithmonë protagonist.

Del Piero ka marrë numrin më të madh të çmimeve. Ka fituar Oskarin, si futbollisti më i mirë italian dhe si golashënuesi më i mirë. Gjithashtu, është vlerësuar edhe si lojtari më i dashur nga publiku: më i klikuari në internet, sepse dashuria në epokën multimediatike funksionon edhe në këtë mënyrë.

Janë çmimet Oskar dhe janë prezent shumë juventinë, një sinjal që tregon se “Zonja e Vjetër” është rikthyer. Tri herë fiton Del Piero. Kielini merr çmimin si mbrojtësi më i mirë. Por nuk mbaron me kaq: është vlerësuar edhe Bufon, si portieri më i mirë.

NUMRAT - Sfida vazhdon përpara, edhe kështu. Kielini, përveçse ngre lart çmimin, i gëzohet edhe një suksesi tjetër të merituar. Tani mbrojtja bardhezi është më e mira e Serisë A. Nuk kemi të bëjmë thjesht me çështje numrash, ky është mendimi i mbrojtësit: “Janë mbrojtjet më të mira ato që fitojnë kampionatet, këtë e kam thënë gjithmonë.

Tani duhet vetëm të vazhdojmë të punojmë. Unë kisha besim më parë dhe në këtë moment besoj akoma më shumë. Si ndihem? Tani më mirë, kam pasur disa probleme fizike, por të shtunën do të jem në dispozicion të skuadrës.

Dua të jem prezent edhe unë, sepse rruga është e gjatë, të gjithë duan të fitojnë, por në fund shpresoj të jemi ne ata që do të gëzojnë. Po rikuperojmë, në tetor kemi humbur disa pikë, por tani po luajmë mirë, kemi më shumë vazhdimësi. Në këtë rrugë duhet të vazhdojmë, pastaj llogaritë do të bëhen në fund të kampionatit.”

Më pas, ka folur edhe Sebastian Xhiovinko, i cili ishte në garë për çmimin “i riu më i mirë”. Ka fituar napoletani Hamsik, “milingona atomike” duartroket. Për kolegun, por, mbi të gjitha për kapitenin e tij. “Një ditë shpresoj të fitoj diçka si kapiteni ynë, edhe pse do të jetë e vështirë të përsërisësh një karrierë të jashtëzakonshme, si ajo e tij”.

Më e mundur të luajë një ditë në vendin e tij? Xhiovinko buzëqesh: “Ndoshta për këtë arsye jam këtu,” - ka thënë lojtari bardhezi. Buzëqesh edhe Del Piero, dhe më pas paralajmëron: “E rëndësishme është që kjo të mos ndodhë shumë shpejt”.

Del Piero ka një kontratë deri në vitin 2010; drejtori sportiv Seko shprehet se “me kampionë si Aleks, marrëdhënia është aq e fortë dhe e pastër sa, kur të vijë momenti për të folur për një rinovim, jam i bindur se të dyja palët do të jenë në një mendje”. Del Piero niset në ndjekje të Interit. Më pas, përshëndet gazetarët dhe përgjigjet.

Presidenti Koboli Xhilji ka thënë se Del Piero nuk shitet as për 120 milionë. Ai falënderon: “Po, më kanë pëlqyer shumë fjalët e thëna nga presidenti im, por nuk dua të diskutoj për rastin e Kakasë”. Mendimet e kapitenit bardhezi janë përqendruar në një vend tjetër, mbi të gjitha, në luftën për titull.

“Kemi zhvilluar një ndeshje të mirë, Lacio nuk është kundërshtar i lehtë. Kampionati ka qenë gjithmonë i hapur, tani akoma më shumë. Duhet të vazhdojmë punën tonë, llogaritë do të bëhen në fund,” - ka deklaruar Del Piero. Sfida mund të vazhdojë.