Sulmuesi francez, pas kalimit te Herkules, flet për 10 vitet e tij të kaluara me fanellën bardhezi
Skuadra e tij e re mban emrin e një filmi vizatimor: “Herkules”. Dhe diçka magjike ndihet në atmosferë në rrugët e Alikantes. David Trezege është heroi i këtij filmi vizatimor klasik. E ka kërkuar një president ambicioz që ëndërron të befasojë skuadra e mëdha të kampionatit spanjoll. Për David nuk ka qenë e lehtë të ndryshojë faqe. “Dhjetë vite te Juventusi, ka qenë një histori e madhe dashurie”. Nuk ka retorikë në fjalët e tij. Ka shkuar në Torino në vitin 2000. Me etiketën e talentit.
Eshtë larguar pak javë më parë, pasi ka fituar gjithçka dhe ka shënuar një “mal” me gola, i shoqëruar nga koret e tifozëve bardhezi. David ishte një prej tyre. Nuk është e lehtë as të kthesh kokën mbrapa. Për të përshkruar aventurën e Trezegesë te Juventusi do të duhej një libër i tërë. “Unë David Trezege do të mbetem përgjithmonë tifoz i Juves. Madje, ditën kur skuadra bardhezi do të fitojë kampionatin do të shkoj në Torino dhe do t’i kërkoj familjes Anjeli të bëjë një fanellë me yllin e tretë. Dhe do të jem i pari që do ta vesh.
Dy titujt që na i kanë hequr kanë qenë një padrejtësi e madhe. E mendoj unë, e mendojnë ata që duan Juven, por janë të bindur edhe lojtarët e Interit me të cilët kam folur. Shkoni dhe rishikoni imazhet e atyre kampionateve. Shkoni dhe rishikoni golat tonë. Nuk kishte hile. Hilja e vetme ishte se ishim më të fortë”, ka thënë sulmuesi francez.
PRESIDENTI - “Juvja e fundit e fillon pothuajse nga zero. Një zgjedhje e guximshme. Por duhet të kesh kurajo t’i thuash popullit bardhezi se do të duhet pak kohë për t’u kthyer skuadra më e fortë e Italisë. Si mik i Juventusit mendoj se do të ishte shumë bukur të arrihej kualifikumi në Ligën e Kampionëve dhe të fitohej Liga e Europës. Do të ishte një sezon që do të meritonte notën dhjetë. Titulli në kampionat do të jetë një luftë midis Interit dhe Milanit”, ka shtuar Trezege.
Duke ju rikthyer Juves. “Eshtë bukur të shikosh Andrea Anjelin president. Unë jam rritur me mitin e Avokatit. Kur vinte te qendra stërvitore ishim të gjithë të mrekulluar. Sikur ai të kishte fituar 10 Botërore, 10 Champions, 10 kampionate. Andrea Anjeli do të duhet të krijojë të njëjtën magji me më të rinjtë”.
SHEMBULLI DEL PIERO - “Bardhezinjve të rinj i them: shikoni Del Pieron. Ale është Juvja. Mjafton të shikosh seriozitetin e tij, dëshirën e tij për të fituar. Ai për mua ka qenë një mik i vërtetë. Bashkë kemi shënuar shumë gola, jemi argëtuar. Në fushë dhe jashtë saj. Mbas një viti i skadon kontrata. Ndoshta mund të fillojp edhe ai një aventurë të re, ndoshta jashtë Italisë por nëse do të isha një drejtues i Juves do të mendohesha mirë para se të hiqja dorë nga Del Piero.
Ai është zëri i tifozëve, i përfaqëson. Dhe në fushë bën akoma diferencën. Nuk është e vërtetë që është një kryetar bande që lufton ata që kërkojnë t’i zënë vendin. Ndër të tjera besoj se është gati të paguaj nga xhepi i tij për të fituar një trofe të rëndësishëm me fanellën bardhezi para se të mbyllë karrierën”.
PESHA E FANELLES - “Më pëlqen Marota, më pëlqen Del Neri por atyre i kujtoj se te Juvja ka rëndësi vetëm një fjalë: fitoria. Nëse fiton hyn në histori, nëse nuk fiton harrohesh brenda një sekonde. Klubi ka lëvizur shumë në merkato. Më pëlqen Bonuçi, më duket interesant Mota dhe besoj se Akuilani, nëse do të jetë në formë, do të bëhet një yll. Por kanë ardhur shump lojtarë nga skuadra të nivelit mesatar. Juventusi është diçka tjetër. Një fanellë normale peshon 1 kilogram, ajo e Juves peshon 1 ton. Dhe jo të gjithë arrijnë ta mbajnë mbi shpatulla. Koha do të thotë se kush është i denjë për Juven. Largimi i Diegos më ka befasuar pak”.
ZIZU I MADH - “Disa herë e pyes veten: “Çfarë ka ndodhur në kampionatin e kaluar? Pse jemi shpërbërë?”. Dhe e kishim filluar në mënyrën më të mirë. Noshta më mirë se duhej. Dikush ka menduar se do të kishim fituar gjithçka. Kemi filluar të ëndërrojmë dhe gjithçka ka shkuar keq. Këtij grupi i them: “Duhet të jeni kokëulur”. Ishte i tillë Zidan, lojtari më i madh me të cilin ka “punuar” te Juventusi. Ishin kokëulur Nedved, Vieira. Ishin kampionë që kërkonin të transformonin një skuadër në një familje. Pikat e referimit duhet t’i kërkoni tek e kaluara. Në futboll e kaluara është e rëndësishme, te Juvja është pothuajse gjithçka”.
FITORIA ME E BUKUR - Nuk më pëlqen të bëj rendtije, por Juventusi i Lipit ka qenë më i forti. Sepse nuk ishte skuadra më e fortë. Juventusi i Kapelos kishte shumë kampionë, ishte më e lehtë të fitonte tituj. Ishte edhe Ibra, Pikërisht, Zllatan. Nuk është e vërtetë se është një mercenar. Pa skandalin e ‘Calciopoli’-t do të ishte akoma te Juventusi sepse do të kishim fituar gjithçka dhe Ibra do vetëm të fitojë. Fitoria ime më e bukur në dhjetë vitet e kaluar te bardhezinjtë ka qenë kalimi nga Seria B në Serinë A.
Një eksperiencë fantastike. Tifozët na konsideronin heronj sepse kishim zgjedhur të qëndronim. Dhe rreth nesh kemi parë të rriten disa lojtarë të rnj që sot janë kampionë të vërtetë. Mendoj për Kielinin, Markizion. Nëse dikush kujtonte se do ta vriste Juven duke e çuar në Serinë B ka gabuar gjithçka. Ajo eksperiencë e ka bërë akoma më të fortë botën e Juventusit”, ka thënë Trezgege.