Milan, Inter e Juve, klubet që shpenzojnë më shumë për pagesat e lojtarëve
Rrogat e lojtarëve të Serisë A kalojnë përtej 1 miliard euro, por klubet nuk do ta konfirmojnë kurrë. Madje, vlerësimet e para (që rrjedhin nga kontratat-bazë) na çojnë në një mal rrogash prej 802,5 milionë. Në rënie të dukshme gjatë dy viteve të fundit. Për të kuptuar më mirë situatën ju tregojmë historinë e Ibrës dhe Eto’osë. Një vit më parë rrugët e tyre u kryqëzuan në trajektoren Milano-Barcelona. Suedezi fitonte 12 milionë neto në Katalonjë dhe kamerunezi 10,5 tek Interi. Një vit më pas, Zlatanit te kuqezinjtë i atribuohet një rrogë prej 9 milionësh, ndërsa Samuel zbret në 8 te zikaltërit. Na besoni? Vërtet dy yjet aktualë të futbollit italian janë vetë-taksuar kaq thjesht? Ne jemi gati të besojmë, se në kontratat e tyre ekzistojnë vërtet këto shifra. Ndërsa problemi është të kuptojmë, se sa para të dy do të gjejnë në zarfin e rrogës në fund të sezonit. Po nëse do të jenë 12? Atëherë si mund të ndodhë? Nuk është alkimi. Gjithçka është e lidhur me fleksibilitetin e kontratave, një risi që, jo rastësisht, klubet e Serisë A e kishin vënë në krye të shtatë kërkesave të tyre për shoqatën e futbollistëve para marrëveshjes së re kolektive. Në pritje që përqindja të zbresë nën 50%, janë tashmë të shumtë shembujt e lojtarëve, që kanë nënshkruar për risi të reja, me stimuj dhe premio personale për çdo gjë të mirë që japin në fushë. Pak a shumë ajo që ndodh edhe në punët e tjera, mbi të gjitha atë të menaxherëve: një elasticitet, që u mundëson klubeve të modelojnë investimet e tyre. Sido që të jetë, është e thjeshtë të parashikosh se në fund të sezonit do të arrihet patjetër te kufiri i 1 miliard eurove dhe, duke përfshirë shpërblimet kolektive, mundet edhe të kalohet kjo shifër. Milani, padyshim ka ndezur merkaton. Dhe në këtë mënyrë rikthehen si klubi që shpenzon më shumë në Itali me një shifër të çmendur prej 130 milionësh eurosh, duke i rrëmbyer vendin e parë në këtë klasifikim pikërisht klubit të Moratit, i cili u ndal në kuotën 121 milionë. Ndjek nga afër Juventusi i Andrea Anjelit, i cili ka regjistruar madje kursime, duke zbritur nga 115 në 100 milionë. Çezena është klubi që paguan më pak, 8.3 milionë euro. Lojtarët më të paguar janë Ibrahimoviç me 9 milionë, Eto’o me 8, Ronaldinjo me 7,5 etj. Antonio Filipini, lojtari që paguhet më pak në Serinë A. Te Breshia ai përfiton vetëm 50 mijë euro në sezon.