Ndeshja kundër Sampdorias ka shënuar 17 vjet të karrierës së ikonës së Zonjës së Vjetër, Alessandro Del Piero, me fanellën bardhezi.
“Sot është një ditë shumë e veçantë. Do të kishte qenë mirë të festoja me një fitore sot, por duke analizuar natyrën e kësaj ndeshjeje (që përfunoi baras 3-3) jam i entuziazmuar për atë që shënon një moment në karrierën time”.
“Jam shumë i lumtur me atë që ka ndodhur në karrierën time deri tash dhe unë shikoj përpara që të pres se çfarë do të ndodhë në të ardhmen”, ka thënë Del Piero, i cili njëherit ka kumtuar lajmin se gruaja e tij pret fëmijën e tretë.
Gjatë qëndrimit te Juventusi, nga garat e rëndësishme, Del Piero e ka fituar shtatë herë Scudetton [1994/95, 1996/97, 1997/98, 2001/02, 2002/03, (2004/05, 2005/06)], një herë Serien B (2006/2007) një herë Kupën e Italisë (1994/95), katër herë Superkupën e Italisë (1995, 1997, 2002, 2003), një herë Ligën e Kampionëve (1995/96), një herë Kupën e Botës për Klube (1996), një herë Superkupën e Evropës (1996), një herë Kampionatin Botëror (me Italinë në vitin 2006) etj.
Sa u përket arritjeve dhe çmimeve personale veçojmë: lojtari më i mirë i ri (1995), futbollisti evropian i vitit U-23 (1996), golashënuesi më i mirë i Ligës së Kampionëve (1997-1998), futbollisti italian i vitit (1998, 2008), lojtari më i dashur i tifozëve (2001, 2008), golashënuesi më i mirë i të gjitha kohërave në Superkupën e Italisë, golashënuesi më i mirë i Kupës së Italisë (2005/2006), golashënuesi më i mirë në Serie B (2006/2007), çmimi “Këmba e Artë’ (2007), Sportisti i vitit (2007), golashënuesi më i mirë në Serie A (2007/2008), golashënuesi dhe lojtari me më shumë paraqitje te Juventusi i të gjitha kohërave etj.