04 shtator 2010

Del Neri ia beson “çelësat” Del Pieros

Trajneri bardhezi harron Diegon: Është Aleksi ai, që i besoj. Do të luajmë edhe për Ligën e Europës

Thuajse kryelartë Xhixhi Del Neri analizon të gjithë merkaton e kryer këtë verë nga Juventusi dhe objektivat sezonalë të “Zonjës së vjetër”. Trajneri bardhezi është i kënaqur nga puna e Anjelit dhe e Marotës, duke theksuar se ka një skuadër në lartësinë e duhur: “Klubi bëri atë që mundej, - thotë trajneri i Juves. - Dhe mua më pëlqen kështu, sepse kam një skuadër të re me alternativa në çdo repart.

Refuzimi i Di Natales, Borrielos e Kalaxes? Asnjë nuk e refuzoi Juven. Di Natale kishte refuzuar edhe Napolin për një zgjedhje të jetës, sepse kërkon të qëndrojë në Udine, Borrielo ka parapëlqyer një tjetër skuadër për arsye të kontratës, ndërsa për Kalaxen diskutimi ndryshon. Por të gjithë të tjerët erdhën me vrap, që nga “asi” Kualjarela, që tregoi se e do këtë fanellë. Ndonjë keqardhje? Mendoja se do të vinte Kolarov, por nuk ishte e mundur”.

Megjithatë akuza kryesore është që në Torino nuk erdhi në lojtar klasi: “Kush na siguronte që një kampion do të na i kish zgjidhur problemet? Pastaj cilësinë e kemi parë, sepse kemi shumë lojtarë kombëtaresh, - nënvizon Del Neri. - Pa harruar Akuilanin, që në kombëtare mund të kthehet”. Të gjithë mezi presin ish-romanistin në dyshe me Markizion në mesfushë: “Akuilani e Markizio, a mund të luajnë bashkë? Herët a vonë po, sepse janë dy lojtarë të shkëlqyer, që mund të përshtaten mirë në mesfushë.

Por ynë synoj shumë edhe te Felipe Melo, që dua ta rekuperoj, sepse nuk më duket aspak i padobishëm”. Është e pashmangshme nga ana e Del Nerit një koment pas kritikave të para dy ditëve nga Gjermania të Diegos ndaj drejtuesve të Juventusit: “Është një lojtar i shkëlqyer dhe i uroj të ketë sukses në Gjermani, por me Kualjarelën kemi më shumë prezencë në zonën e golit. Pastaj Diego ynë quhet Del Piero tani. Mosha e Aleksit? Doni në moshën 35-vjeçare me mua ka luajtur 30 ndeshje te Atalanta dhe ka shënuar 12 gola”. Për sa u takon objektivave sezonalë Del Neri bashkohet me Kielinin: “Nisemi pas dy milanezeve, por do të luajmë. Milani mori kampionë që asnjë s’i imagjinonte, por vetëm koha do të tregojë kush ka vepruar mirë dhe kush jo. Unë kujtoj që një vit më parë, të gjithë lëvdëronin fushatën e blerjeve të Juventusit, pastaj e dimë si përfundoi. Objektivi për ne është të arrijmë një vend për Championsin, sepse e kërkon historia e Juventusit”. Pa harruar ama Ligën e Europës: “Mjafton të shikosh skuadrat pjesëmarrëse, nga Liverpuli te Mançester Siti, për të kuptuar që nuk është një kupë e vogël. Ne jemi Juventusi dhe synojmë edhe Ligën e Europës”.