25 gusht 2009

Vllaznia, Fushaj: Ja plani për “rikthimin”

Ai që mendon se kjo Vllazni nuk është e denjë për të pretenduar titullin, gabohet. Të paktën, ky është mendimi i presidentit të klubit shkodran, Valter Fushaj, që kërkon t’u përgjigjet spektikëve për të ardhmen e ekipit të tij. Në një intervistë për “Panorama”, ai rrëfen planin për rikthimin e skuadrës aty ku i takon. “Për mendimin tim Vllaznia luajti shumë mirë për gati 40 minuta dhe pastaj pësoi një gol fatal. Mund të them se ishte një penallti e pastër gjatë pjesës së parë, që arbitri duhet ta akordonte, por për fat të keq, nuk e bëri një gjë të tillë. Është një fillim jo i mbarë i arbitrimit për Vllazninë dhe kjo më zhgënjeu më shumë, përkundrejt lojës së ekipit”, tha Fushaj. Më tej presidenti Fushaj ka pohuar se skuadra e tij do të mund të rikthehet si rivale e denjë për titull. “Koha do ta vërtetojë se kush është Vllaznia, por unë jam i bindur se ekipi do të jetë padyshim një nga pretendentët kryesorë për titullin kampion. Për këtë do të luftojmë deri në fund. Pasi të përfundojmë planet tona në lidhje me përforcimin e ekipit, atëherë të gjithë do të kenë mundësi të japin një mendim më të saktë për Vllazninë. Pra, më mirë po ia lëmë kohës”, ka përfunduar Fushaj.