24 janar 2009

Ranieri: Tri pikët për t’iu bashkuar Interit

Objektivi është bash kimi me zikaltrit në krye të renditjes, por një gjë të tillë, Klaudio Ranieri e deklaron me gjysmë zëri, pasi sigurisht që i trembet sadopak përballjes me skuadrën vjollcë. Me një sukses ndaj formacionit të Çezare Prandelit, “Zonja e Vjetër” do të mbulonte vendin e parë me zikaltrit, të paktën deri ditën e diel, në pritje të përfundimit të përballjes ndërmjet kampionëve në fuqi të Italisë dhe Sampdorias. Gjithsesi, një sukses do t’i vinte sigurisht nën presion djemtë e Zhoze Murinjos, pasi Interi aktualisht nuk po kalon një periudhë shumë pozitive. Gjithsesi, lajmi i mirë përpara kësaj përballjeje për Juventusin dhe Klaudio Ranierin është rikthimi në portë si titullar i portierit, Xhanluixhi Bufon, ndërkohë që Maninger i është dashur t’i dorëzohet gripit që e ka pushtuar, por edhe një dëmtimi në këmbë, të pësuar në ndeshjen e fundit kundër Lacios. “Nëse mendojmë atë çfarë mund të ndodhë në rast fitoreje kundër Fiorentinës, atëherë do të bënim një gabim të madh, pasi një gjë e tillë do të thotë të nënvlerësosh kundërshtarin. Ne duhet të zbresin në fushë e të bëjmë punën tonë, të fitojmë, - deklaron Klaudio Ranieri. – Me fazën e dytë rifillon një cikël tjetër i sezonit, duke kujtuar e menduar mirë se deri në përfundim të kampionatit mungojnë ende 19 ndeshje, pran e njëjta rrugë e kryer deri në këtë pikë. Personalisht, më duket e pavend që të flasim për titullin që në këtë periudhë të kampionatit. Detyra jonë është që fillimisht të fitojmë dhe më pas të shohim se çfarë mund të bëjnë të tjerët”, vazhdon të komentojë tekniku bardhezi. Merkato – “Siç e kam thënë gjithmonë, tek Juventusi çdo gjë bëhet ndryshe nga klubet e tjera. Kudo përflitet për interesimin e lojtarëve të çdo skuadre, ndërkohë që këtu tek ne situata është mjaft e qetë. Sigurisht, kjo nuk nënkupton aspak se futbollistët tanë nuk janë të dëshiruar. Çfarë mendoj për Diegon? Natyrisht, së pari do të doja ta kisha në dispozicion e më pas ta testoja në fushë në pozicione jo ideale për të, për të kuptuar sesa mund të japë. Mbi të gjitha do të doja të shihja nëse me të në drejtimin e mesfushës, rendimenti i skuadrës sonë do të rritej apo jo. Gjithsesi, duke mos pasur gjë në dorë, është më mirë që të presim”. Fiorentina – “Përballja me Fiorentinën në një moment të vështirë për ta, nuk më bën të ndihem i qetë, pasi kjo situatë do t’i shtyjë ata të japin më të mirën ndaj nesh. Në repartin e avancuar kanë lojtarë të mrekullueshëm si Santana, Jovetiç e Montolivo, të cilët në përballjet një për një me mbrojtësit mund të jenë vrasës. Nga ana tjetër, ne duam të bëjmë lojën tonë, të bindur tek potenciali ynë dhe të presim rezultatin në fund të takimit”, përfundon Klaudio Ranieri.