04 janar 2009

Juventus do ta shesë Buffonin për Messin

Juventusi e ka marrë me shumë seriozitet transferimin e superyllit të Barcelonës, Lionel Messi, saqë drejtuesit e Zonjës së Vjetër llogarisin shitjen e Gianluigi Buffonit për të siguruar shërbimet e argjentinasit.
Edhe pse disa nga mediat italiane e kishin përshkruar si një “ëndërr të parealizueshme” planin e Bianconerëve për blerjen e Messit, duket se kjo ëndërr mund të bëhet realitet. “Tuttosport” njofton se drejtuesit e Juves janë duke planifikuar shitjet e portierit më të mirë në botë, Gianluigi Buffon, për të grumbulluar paratë e nevojshme për blerjen e lojtarit të Barcës. Barcelona e konsideron Messin të vlefshëm 75 milionë euro, mirëpo në kontratën e tij shkruan se nëse ndonjë skuadër dëshiron ta blejë atë, atëherë duhet të paguajë 150 milionë euro. Pasanikët e Manchester Cityt janë të gatshëm t’i ofrojnë 100 milionë euro Juventusit për portierin italian dhe në këtë mënyrë bardhezinjtë do t’i shfrytëzonin këto para për ta blerë Messin- pa dyshim njëri nga lojtarët më të mirë në botë. Presidenti i Juves, Giovanni Cobolli Gigli, është duke menduar për transferimin e argjentinasit, pasi që familja Agnelli që janë sponsorë të Juves po bëjnë presion për blerjen e Messit. Mirëpo, problemi i vetëm që do ta pengonte një lëvizje të tillë janë tifozët e Zonjës së Vjetër. Në bazë të një sondazhi, 52% e tifozëve dëshirojnë ta mbajnë Buffonin dhe nuk dëshirojnë sakrifikimin e tij për Messin.