20 janar 2009

Ibra dhe Juve ftuesit kryesorë te “Oskarët e Calcios”

Të hënën mbrëma janë ndarë çmimet kryesore të lojtarëve më të mirë në Serie A në ceremoninë e përvitshme “Oskarët e Calcios”, ndërsa fitues kryesorë ishin skuadra e Juventusit dhe sulmuesi i Interit, Zlatan Ibrahimovic.
Ibracadabra fitoi çmimin për ‘Golin më të mirë’, çmimin e ‘Lojtarit më të mirë të huaj’ dhe çmimin e ‘Lojtarit më të mirë në Serie A për vitin 2008’.

Ndërkaq skuadra e cila fitoi më shumë trofe ishte Juventusi. Kapiteni i Zonjës së Vjetër, Alex Del Piero, fitoi çmimin ‘Lojtari më i mirë italian’ dhe ‘Lojtari më i dashur nga tifozët’. Mbrojtësi Giorgio Chiellini fitoi çmimin ‘Mbrojtësi më i mirë’, ndërsa Gigi Buffon u shpall ‘Portieri më i mirë’. Trajneri i Fiorentinës, Cesare Prandelli, u nderua me çmimin ‘Trajneri më i mirë’, ndërsa ylli i Napolit, Marek Hamsik, rrëmbeu trofeun ‘Lojtari i ri më i mirë’. Roberto Rosetti ishte votuar si gjyqtari më i mirë, ndërsa ish-lojtari i Milanit, Stefano Borgonovo, i cili vuan nga skleroza amiotrofike laterale është emëruar si ‘Tifozi i vitit’.