28 qershor 2009

Pujol: Të rinisim fitoret

Mbrojtësi spanjoll, Karles Pujol, është i bindur që humbja ndaj SHBA-së nuk do ndikojë aspak për keq në ecurinë e Kombëtares së tij. Ai premton se Spanja do rikthehet te sukseset radhazi. “Është e vërtetë që humbja ndaj SHBA-së nuk ishte diçka pozitive, por ajo nuk do ndikojë aspak në vazhdimësinë tonë. Nuk do kemi asnjë problem për t’u rikthyer te sukseset radhazi dhe te dominimi. Jemi i njëjti ekip, madje tashmë akoma më të matur, pasi gjithmonë mësohet nga gabimet. Kuptuam sesi mund të mundemi dhe të jeni të bindur se një gjë e tillë nuk do përsëritet më”, tha Karles Pujol. Përsa i përket arsyes se pse u mundën nga SHBA-ja, ai tha: “Nuk duhet të sulmojmë me të gjitha forcat kur jemi në disavantazh. Kjo bën që të lëmë hapësira në mbrojtje dhe për më tepër, të ndihemi nën presion. Jemi një skuadër që mund të shënojë edhe në minutën e fundit, ndaj nuk duhet të jemi aq të paduruar.”