28 qershor 2009

“Ishte e lehtë të mundje Spanjën”

Trajneri i Kombëtares së SHBA-së, Bob Bredli, ka surprizuar, duke deklaruar që të mundje kampionët e Evropës nuk ishte dhe aq e vështirë. Skuadra e tij fitoi me rezultatin 2-0, duke u treguar mjaft të saktë taktikisht dhe duke e vënë shumë në vështirësi Spanjën. Për suksesin ai ka një sekret dhe është pikërisht markimi i mesfushorit Ksavi Hernandez. “Objektivi kryesor i lojtarëve të mi në fushë ka qenë pikërisht që të markonin Ksavi Hernandezin dhe të mos lejonin që ai të organizonte lojën. Një gjë e tillë ka qenë thelbësore në fitoren që arritëm. Mendoj se është ‘thembra e Akilit’ për spanjollët”, tha Bob Bredli. Ky i fundit ka vlerësuar gjithashtu, saktësinë taktike të futbollistëve të tij dhe shpirtin e garës që treguan në gjysmëfinale. “E merituam plotësisht fitoren. Normalisht që spanjollët ishin më lartë në nivelin individual, por ne u treguam se si fitohet. Lojtarët e mi u treguan mjaft të saktë në detyrat e tyre dhe luftuan deri në minutën e fundit. Duhet pranuar që nuk pësuam gol nga spanjollët dhe u shënuam atyre dy herë, gjë që kishte kohë pa ndodhur, edhe pse ata janë përballur me kundërshtarë shumë prestigjiozë”, shtoi trajneri i SHBA-së, duke deklaruar se në finale do luajnë gjithashtu pa asnjë presion, pasi kanë arritur të jenë mjaft të suksesshëm deri tani. “Finalja? Ne e kemi kaluar objektivin tonë dhe tashmë duhet të luajmë pa presion”, përfundoi Bob Bredli.