28 qershor 2009

Marsejezët: Cana, s’je më idhulli ynë!

Lorik Cana nuk është më njeriu idhull i tifozëve të Marsejës. E çuditshme, por e vërtetë. Këtë sezon ai luftoi me të gjitha forcat për ta renditur Marsejën në krye të tabelës, madje shpeshherë sakrifikoi duke luajtur i dëmtuar, por kapiteni i skuadrës franceze më të njohur në Evropë, nuk është renditur ndër pesë më të votuarit në një sondazh të bërë nga vetë klubi marsejez. Preferencat Rreth 150 mijë tifozë të skuadrës së Marsejës kanë votuar për të zgjedhur lojtarin e vitit tek ekipi i tyre i zemrës. Në krye të listës është renditur mesfushori Benua Sheru, me 30 përqind të votave, ose me 43549 vota të grumbulluara. Në vendin e dytë është renditur sulmuesi Niangme 27 përqind të votave. Për të kanë votuar 39.250 tifozë të Marsejës. Në vendin e tretë është renditur Karim Ziani me 11 përqind, ndërsa në të katërtin, Taivo me nëntë për qind. I habitshëm fakti, që portieri Stiv Mandanda është renditur i pesti ndër më të vlerësuarit nga tifozët, ndërsa kapiteni i kësaj skuadre, Lorik Cana, nuk ka mundur të jetë pjesë e pesë më të preferuarve të fansave. Prapaskenat Sondazhi i bërë nga klubi dhe i publikuar në faqen zyrtare të internetit të Marsejës, mund të jetë edhe një sinjal për të përgatitur terrenin për largimin e mesfushorit shqiptar këtë sezon nga Marseja. Është një praktikë e njohur kjo e klubeve, të cilët në momentin që vendosin ta largojnë një prej lojtarëve simbol të skuadrës së tyre, përpiqen që ta reklamojnë sa më pak atë karshi tifozëve. Cana cilësohet si një lider te Marseja dhe këtë shpeshherë e ka konfirmuar edhe ish-trajneri i saj, Erik Gerets, i cili gjithnjë fliste me superlativa për mesfushorin shqiptar. Ofertat Lorik Cana është lojtari më i kërkuar i Marsejës dhe i Kombëtares shqiptare në merkaton e verës. Gjatë ditëve të fundit klubi i Hamburgut ka vënë në dispozicion një shumë prej tetë milionë eurosh për kartonin e tij, por klubi francez e ka refuzuar menjëherë, duke bërë të qartë se kërkon më shumë se 15 milionë euro për mesfushorin kuqezi.