28 qershor 2009

Klodian Duro fut në sherr Qipron

Klodian Duro fut në sherr dy skuadrat e qytetit Limasol të Qipros, me lëvizjen e tij të papritur në momentet e fundit. Mesfushori i Kombëtares, kur mendohej se do të prezantohej si lojtar i AEL Limasolit, i ka habitur të gjithë në Qipro, teksa ka pranuar ofertën e Apollonit. Ai ka prishur parakontratën me AEL-in. Sipas mediave qipriote, Duro ka nënshkruar një kontratë dyvjeçare me pagë vjetore, 240 mijë euro në vit ose 90 mijë më shumë nga ajo që ofronte AEL-i. Kjo ka shkaktuar një revoltë të paparë te drejtuesit dhe tifozët e AELit, të cilët e kanë cilësuar si të pabesë lëvizjen e Duros. “Historia e lojtarit shqiptar ka evoluar në një mënyrë, e cila nuk është etike. Drejtuesit e AEL-it kishin rënë dakord me shqiptarin për një kontratë dyvjeçare dhe pagë vjetore 150 mijë euro. Ndërkohë, Duro vjen në Qipro dhe firmos kontratë me Apollonin, falë lëvizjes së menaxherit shqiptar, Rudi Vata, i cili i ofroi Duros një kontratë të mbyllur me Apollonin, për dy vite dhe 240 mijë euro në vit. Rezultati është i njohur tashmë dhe AEL-i heq dorë nga lojtari shqiptar, i cili nuk u tregua profesionist në lëvizjen e tij, në një kohë që kishte rënë dakord. Nuk mbetet gjë tjetër, por tani pritet zyrtarizimi i Klodian Duros në fundjavë. Kjo do të ndodhë menjëherë pasi ai të lirohet nga Omonia”, bën të ditur uebsajti “protathlima.com.cy”. Ndërkohë, edhe faqja zyrtare e AEL-it në internet publikoi dje në mbrëmje njoftimin për çështjen “Duro”, duke akuzuar direkt lojtarin për pabesi dhe ish-futbollistin e Apollonit, Rudi Vata. Akuzat Klubi i AEL-it ka lëshuar vrer ndaj Klodian Duros. Në një komunikatë për shtyp, zëvendëspresidenti i AEL-it, Tasos Palari, ka thënë se veprimi i lojtarit është jashtë çdo lloj etike. “I dhamë ultimatum Duros të nënshkruajë kontratën e dërguar më 23 qershor, por ai kërkoi ta bënte një gjë të tillë një ditë më vonë. Historia mashtruese e shqiptarit nuk mund të na fuste në kurth, sepse e kuptuam që ai ishte lidhur me disa menaxherë të tjerë. Duro nuk tha as po as jo, duke bërë lojën dhe menduam të hiqnim dorë. Nuk kemi pse të shqetësohemi për këtë lojtar jo serioz dhe menaxherin e tij Rudi Vata, i cili ka ndërhyrë me të pa drejtë në punët tona”, ka thënë numri dy i AEL-it për gazetën “Simerini”. Duke qenë se dy skuadrat janë të një qyteti, në çështjen “Duro” janë ashpërsuar edhe marrëdhëniet midis drejtuesve të dy klubeve.