Trajneri italian i londinezëve i dërgon një mesazh të qartë sulmuesit me karakter të vështirë
Te Interi nuk do të ketë hapësirë. Të isha në vend të tij do të vija te Uest Hemi”. Xhianfranko Zola ka një ëndërr dhe ajo quhet Mario Baloteli. Dy javë para fillimit të Premier Ligës, klubi londinez duhet të përballojë emergjencën e sulmuesve, sepse në këto momente në dispozicion është vetëm Karlton Kol dhe Zola nuk e fsheh interesimin për talentin zikaltër: “Kam bërë gjithçka për ta bindur Marion, do të ishte në interesin e të gjithëve nëse do të vinte te Uest Hemi”.
GJENDJA - Dean Ashton është drejt riaftësimit, por akoma larg formës më të mirë, pjekuria e Savio Nserekos është ende për t’u plotësuar, ndërsa si David Di Mikele, ashtu edhe Diego Tristan e kanë lënë klubin e “Upton Park” në fund të sezonit të shkuar. Kësisoj, Zola është në kërkim të një sulmuesi dhe Baloteli është në krye të listës së tij të dëshirave: “Nuk ka hapësirë për të tek Interi dhe Mario është një talent natyral, - vazhdon Zola. - Është një djalë instiktiv dhe sjellja e tij në fushë mund t’i krijojë shqetësime dikujt, por është inteligjent dhe po mëson akoma si të sillet.” Zola rrëfen se ekzistojnë marrëdhënie të shkëlqyera mes dy klubeve për të arritur deri te Baloteli, duke parë që ka huazuar para pak javësh Luis Himenezin, pikërisht nga kampionët e Italisë.
“JO” KASANOS, “PO” DEKOS - Pasi Hlebi zgjodhi të shkojë te Shtutgardi, kthehet në “modë” emri i Dekos te Interi, pa harruar edhe emra të tjerë në listë. Duke parë vendin bosh për një fantazist në skuadër, Interi e di që zgjidhja më logjike do të jetë ajo që të çon pikërisht te portugezi i Çelsit. Fantazisti 31-vjeçar i bluve, është një benjamin i Mourinjos, me të cilin te Porto ka fituar Championsin dhe Kupën UEFA dhe vlerësohet 5 milionë euro nga klubi londinez. Deko i ka kërkuar të mendohet edhe Gallatasarajit, i gatshëm të paguajë 7 milionë, sepse shpreson akoma tek Interi, që gjithsesi nuk nxitohet dhe monitoron si Shnejderin, Kasanon e Lavecin. Holandezi i Real Madridit vlerësohet 10-13 milionë euro, i pëlqen Mourinjos për vlefshmërinë e tij, sepse luan afër portës dhe mund të sigurojë edhe një punë në mbulim. Por nga ana tjetër Interi duhet të shesë dhe këtu problemet nuk mungojnë, sepse asnjë nga gjashtë lojtarët, për të cilët Mourinjo ka shpjeguar që nuk hyjnë në planet e tij (Burdiso, Kerlon, Mansini, Obina, Rivas, Vieira), duket se s’kanë ndër mend të heqin dorë nga rroga e lartë, që u siguron Morati në sezon.
ARNAUTOVIÇ AKOMA NË PRITJE - Menaxheri i sulmuesit austriak Marko Arnautoviç, Robert Groener, ka deklaruar që klienti i tij nuk është akoma një futbollist i Interit: “Ka mundësi që shumë shpejt të vijë edhe firma, por gjithçka varet nga marrëveshja mes dy klubeve - pohoi Groener. - Mungojnë vetëm disa detaje, por ndonjëherë pikërisht detajet janë aspekti më i vështirë. Para se të lëvizë, pres marrëveshjen mes Interit e Tventes, që nuk është arritur akoma. Lojtari është i qetë dhe po vazhdon riaftësimin në Milano”.