Transferi i sivjetmë i Juventusit, Diego, i cili të martën mbrëma shënoi golin debutues për Zonjën e Vjetër në kuadër të Peace Cup, ka dhënë mendimet e tij për skuadrën bardhezi.
“Dje ishte një ditë e përsosur. Jam shumë i lumtur, sepse goli ishte i rëndësishëm për mua”.
“Juventusi është njëra nga skuadrat më të mira në botë dhe ne mund të fitojmë gjithçka”, ka thënë braziliani.
Juve ka fituar dy ndeshjet në kuadër të Grupit A të Kupës së Paqes, që do të thotë se është kualifikuar në gjysmëfinale, ku të premten do të përballet me Real Madridin.
“Ndeshja kundër Real Madridit do të jetë e veçantë, mirëpo forma jonë nuk është aq e mirë”, ka shtuar ish-lojtari i Werder Bremenit, i cili është shprehur se ëndrra e tij është që të luajë në Kampionatin Botëror 2010 me Brazilin, kështu që do të japë më të mirën nga vetja me Juventusin që të sigurojë vend në formacionin e ngjeshur të Selecaos.