29 korrik 2009

Berluskoni: Mjaft me lojtarë 30-vjeçarë!

Presidenti i Milanit ka kërkuar që në skuadrën e tij të luajnë lojtarë nën moshën 23 vjeç
Tri humbje rradhazi në turneun përgatitor të zhvilluar në Amerikë, një lojë që duhet ndërtuar akoma dhe kërkesa e qartë e Leonardos për përforcimin e skuadrës. Por, kjo nisje problematike e sezonit te Milani nuk duket se e ka shqetësuar administratorin e deleguar Adriano Galiani, i cili ka deklaruar: “Përforcime? Do të takohem me Leonardon sot (dje) në mbrëmje në Mynih dhe do të flasim për këtë, por nuk ekziston asnjë problem. Leonardo është trajneri ynë, sigurisht që flasim me të për skuadrën dhe për çështjet që kanë të bëjnë me merkaton”.
Galiani, gjithsesi, ka lënë të kuptohet se takimi me trajnerin nuk do të ndryshojë strategjitë e Milanit në merkato: “Nuk duhet të nxitohemi, ka kohë deri në 31 gusht”, ka shtuar ai. Kështu, drejtuesi kuqezi ka manifestuar qetësi, pavarësisht ankesave, që kanë ardhur nga tifozeria milaniste.”Tifozët janë pesimistë?
Edhe unë jam një tifoz, pa dyshim. Një tifoz jo pesimist. Merkato? Do të shohim”. Më pas është ndalur tek humbja e pësuar me Interin në derbin amerikan: “Ne në SHBA kemi zhvilluar katër ndeshje dhe të fundit e kemi bërë pasi Interi kishte luajtur të martën dhe ne të premten, skuadra ka qenë e lodhur edhe për arsyen se ne vinim nga dy ditë pushim, ndërsa ata nga pesë ditë.
Pastaj ne kemi zhvilluar edhe një ndeshje më shumë (kundër Los Anxheles Galaksi), sepse kishim një marrëveshje që kishte lidhje me periudhën që Bekham ka luajtur me ne”. Zërat e merkatos vazhdojnë të flasin për një largim të Pirlos, por Galiani ka saktësuar: “Nuk na ka ardhur asnjë ofertë për lojtarin”. Ndërkohë, gjatë orëve të fundit është shfaqur hipoteza e një shkëmbimi midis Pirlos dhe qendërsulmuesit të Çelsit, Klaudio Pixarro.
Në lidhje me merkaton e Milanit ka ndërhyrë edhe Silvio Berluskoni, i cili ka deklaruar se nuk është më i gatshëm të marrë në ekip futbollistë tridhjetëvjeçarë. “Edhe pse paguhen shumë”, ka thënë numri një i kuqezinjve. “Do të mbështetemi tek ata lojtarë që janë më pak se 23 vjeç, të rinj, por të fortë”, ka shtuar ai.