Është publikuar kalendari i ndeshjeve të sezonit 2009/2010 në Serie A, ndërsa kampioni Inter në ndeshjen e parë do ta presë Barin.
Sipas të dhënave nga “Corriere dello Sport”, Roma do ta vizitojë Genoan në ndeshjen e parë, Juventusi do të përballet me Chievon, ndërsa Milani do të udhëtojë te Sienna. Lajmi më interesant është se Juventusi dhe Milani do të përballen në javët e fundit të sezonit (19 dhe 38), që do të jetë përballje e jashtëzakonshme, sidomos nëse këto dy skuadra do të arrijnë të garojnë për titull. Ndërkohë java e dytë e sezonit të ri duket të jetë më ‘e nxehta’ kur kihet parasysh se do të përballen Interi dhe Milani, ndërsa Juventusi do të luajë kundër Romës. Java e 15-të po ashtu do të jetë njëra nga më interesantet, kur do të zhvillohet Derbi i Italisë, ndërmjet Interit dhe Juventusit, dhe derbi romak, ndërmjet Romës dhe Lazios. Serie A fillon më 22 gusht 2009 dhe përfundon më 16 maj 2010, për t’i dhënë përfaqësueses së Italisë afër tri javë për t’u përgatitur për Kampionatin Botëror 2010 që zhvillohet verën e ardhshme në Afrikën e Jugut.