Diego ka filluar mirë. Ish futbollisti i Werder Bremen ka shënuar gol në debutimin e tij te Juventus, në fitoren ndaj ekipit koreano-jugor Seongnam.
“Ishte një gol i veçantë dhe shpresoj të jetë i pari nga shumë të tjerë. Për mua ishte një natë e përkryer sepse pas dy muajsh pa luajtur ia kam dal të fitoj dhe të shënoj. Jam mjaft i kënaqur. Është e qartë se duhet të përmirësohem ende, por me punë do ta arrij këtë”, theksoi mesfushori brazilian në një konferencë për shtyp.
Ai mendon se Juventus është njëri nga klubet më të mira në botë për momentin. “Është njëra nga skuadrat më të forta. Në elitën e futbollit botëror mund ta fitojë cilindo trofe, unë jam këtu për këtë punë. Jam përshtatur mirë, si me bashkëlojtarë ashtu edhe me shtabin teknik. Më trajtojnë shumë mirë dhe për këtë nuk kam tjetër obligim veçse të përmirësohem”, vazhdoi Diego.
Objektiv i Diegos këtë sezon do të jetë Liga e Kampionëve, të cilën nuk arriti ta fitonte asnjëherë në karrierë.
“Është e pamundur për një skuadër si Juve të shkojë në një garë vetëm për pjesëmarrje. Sa ka investuar dhe me futbollistët që ka, ky klub gjithmonë duhet të provojë të fitojë. Ky është mentaliteti ynë, të gjithë e presin Juven”, përfundoi Diego.