31 korrik 2009
Lushtaku nënshkruan për Munchen
Kushtrim Lushtaku, i cili që nga fillimi i muajit korrik ishte në prova te Munchen 1860, ka nënshkruar një kontratë trivjeçare, të vlefshme deri më 30 qershor 2012. Këtë e ka bërë të ditur klubi gjerman nga Bundesliga 2, përmes ueb sajtit zyrtar të tij. Ai është paraqitur në disa ndeshje miqësore me Munchen 1860, para se ti bindte drejtuesit e klubit për kualitetet e tij. Madje, ai ka shënuar dy gola në takimin kundër ekipit nga ligat inferiore TSV Wolnzach dhe një tjetër kundër klubit grek Skoda Xanthi.“Kushtrimi është një mesfushor ofansiv i shkathët”, ka thënë trajneri i Munchen 1860, Ewald Lienen. Sipas tij, gjatë qëndrimit tri javor në përgatitjet për sezonin e ri, Lushtaku ka lënë “përshtypje të forta”.Edhe drejtori sportiv, Miroslav Stevic ka lavdëruar mesfushorin kosovar.“Ai është një futbollist i ri, me shanse për sukses, në të cilën ne kemi besim. Kontratën me Munchen 1860, ai e ka merituar”, ka thënë ish-futbollisti serb.Lushtaku, në sezonin e fundit ishte pjesë e FC Drenica. Në 25 paraqitje në elitën e futbollit kosovar, ai ka realizuar 9 gola. Ai është lindur më 8 tetor 1989 në Skënderaj. Ai ka filluar karrierën në klubin TG Offenau (1994-1998), më pas me radhë ka mbrojtur ngjyrat e Friedrich FSV Bad Hall (1998-1999), VfR Heilbronn (1999-2001), FC Heilbronn (2001-2006) , TSG Backnang (2006 - 2008) dhe FC Drenica (2008/2009).