29 korrik 2009

Perez: Ibrahimoviç, mirësevjen!

Presidenti i Realit të Madridit, Florentino Perez, ka përshëndetur ardhjen e suedezit në Spanjë
Reali i Madridit ka bërë këtë verë një sërë blerjesh të shtrenjta dhe tani duhet të shesë disa lojtarë. Presidenti i ka uruar mirëseardhjen “rekrutit” më të fundit të Barcelonës. Florentino Perez ka bërë të ditur se Reali i Madridit ka një skuadër ende tepër të madhe dhe duhet të shesë disa lojtarë.
Ai gjithashtu ka uruar edhe drejtuesit e Barçës për blerjen e Ibrahimoviçit. Presidenti i “Los Merengues” ka dhënë një intervistë të gjatë për gazetën “AS” dhe ka shpjeguar përse klubi nuk mund të bëjë ndonjë lëvizje në merkato për lojtarë të rinj, si Ksabi Alonso, pa u larguar disa lojtarë të tjerë. Në futbollin spanjoll, skuadrat mund të kenë deri në 25 lojtarë për një sezon dhe aktualisht Reali është mbi këtë numër dhe është duke u përpjekur të gjejë skuadra për disa prej yjeve të veta.
“Nuk do të flas për lojtarë specifikë. Ne kemi bërë blerje strategjike shumë shpejt dhe kjo do të thotë se ne kemi shumë lojtarë në skuadër, 29″, ka shpjeguar Perez. “Ne po përpiqemi të gjejmë skuadra për ata lojtarë, që nuk do të luajnë shumë për ne sezonin që vjen, por ende nuk kemi qenë në gjendje ta bëjmë këtë gjë. Për çdo lojtar të ri që duhet të vijë, dikush duhet të largohet.
Problemi nuk është te paratë, por te numri 25.” Perez më pas ka pohuar se kanë ndryshuar kohët që kur ai futi konceptin e “Galaktikëve” nëntë vjet më parë dhe ka shpjeguar përse blerjet e Madridit janë ndryshe tani. “Thonë se është e lehtë të blesh lojtarë kur ke para, por nuk është ashtu. Kur blen dikë, duhet të jesh i bindur se ai do t’i sjellë përfitime klubit me të drejtat televizive dhe marketingun.”
Transferimi i Ibrahimoviçit te Barça është parë si një gjë e mirë nga Perez, i cili mendon se kur lojtarët më të mirë vijnë në Spanjë, kjo i shërben të gjithëve. “Eshtë mirë për Madridin nëse ligës sonë i bashkohen lojtarët më të mirë në botë. Ibrahimoviç është njëri prej tyre. Ai është blerë afërsisht për aq sa blemë ne Kakanë dhe Kristiano Ronaldon, por nuk jam i ofenduar nga kritikët. Dua ta përshëndes Barcelonën, sepse ai do të jetë një blerje e mirë për ta si në fushë edhe në anën e përfitimeve ekonomike”, ka thënë Perez.