29 korrik 2009

Kaceres te Juventusi, çështje orësh

Brenda pak orësh mund të vijë zyrtarizimi i transferimit të mbrojtësit uruguaian Martin Kaceres tek Juventusi. Menaxheri i mbrojtësit të Barcelonës, Daniel Fonseka, i intervistuar nga ‘Calciomercato.it’, ka hedhur dritë mbi situatën në të cilën është përfshirë mbrojtësi uruguaian: “Po punojmë intensivisht për këtë transferim, – u shpreh Fonseka. – Mund t’ju konfirmoj se nëse Kaceres nuk shkon tek Juventusi, do qëndroj tek Barcelona. Besoj se brenda pak orësh do kemi lajme të reja për transferimin e tij, – vijoi ai. – Dua t’ju bëj të ditur se Kaceres mund të shkojë tek Juventusi vetëm në formë huazimi”. Ndërkaq, mbrojtësi uruguaian Kaceres nga Spanja bën të ditur se dëshiron ta nisë sa më shpejt sezonin e ri me fanellën bardhezi mbi shpatulla: “Nuk dua të nisem për në Amerikë me Barcelonën. Më duhet të mendoj për të ardhmen. Tashmë kam vendosur, dua të shkoj me çdo kusht tek Juventusi, si dhe preferoj të shitem me titull definitiv e jo të huazohem. Po pres me padurim që Juventusi dhe Barcelona të gjejnë gjuhën e përbashkët”, ka përfunduar mbrojtësi uruguaian Kaceres. Ndërkaq mediat italiane bëjnë të ditur se menaxheri i Kaceres Fonseka ka fiksuar për sot në mëngjes një takim me drejtuesin e Barcelonës, Begiristain, për të zhbllokuar transferimin e uruguaian. Po sot Juventusi pret të takojë drejtuesit e Mançester Sitit dhe Portsmuthit, të cilët kanë shfaqur interes për Puolsen.