29 korrik 2009

Bufon: Inter, kujdes se jemi përforcuar

Portieri bardhezi paralajmëron favoritët kryesorë për titull: Jam i kënaqur nga merkatoja e jonë

Pritjet rreth Juventusit janë të mëdha dhe një nga udhëheqësit e saj kryesorë, Xhixhi Bufon, i betohet për besnikëri bardhezinjve dhe nuk tërhiqet aspak prapa. “Jemi përforcuar, kjo është e dukshme, sepse kemi marrë lojtarë të mëdhenj.

Melo thuajse ka shpërthyer dhe Diego mund të bëhet vlera jonë e shtuar, por duhet ta ndihmojnë të përfshihet mirë në skuadër, - shpjegon portieri bardhezi, që më pas mendon për favoritët kryesorë të titullit, Interin. - Jemi më afër tyre, edhe pse ata kanë epërsinë e madhe që luajnë së bashku prej shumë kohësh. Etonë pastaj nuk e shoh aspak inferior në krahasim me Ibrën”. Bindja e Bufonit është se do të jetë një kampionat i fortë dhe skuadra për t’u mundur do të jetë pikërisht Interi i Mourinjos: “Zikaltrit janë që tani një “makinë” e përsosur, të paktën në Itali dhe nuk është se kanë shumë nevojë për t’u përmirësuar.

Këtë problem e kemi ne, Milani, Fiorentina dhe Roma dhe me sa duket, ne tani jemi ata që kanë bërë këtë sforcim të madh ekonomik”. Mbi këmbimin Eto-Ibrahimoviç në aksin Itali-Spanjë, numri një i Juventusit nuk ka shumë dyshime: “Janë të dy futbollistë të mëdhenj, këtë e thonë numrat, - pranon ai. - Të kesh një lojtar vendimtar në ndeshjet që kanë rëndësi, është e rëndësishme, sigurisht Interi duhet të ndryshojë lojën dhe skemat taktike në krahasim me atë që paraqiste Interi i Mançinit”.

Ndërkohë Bufoni flet edhe për të ardhmen e tij, duke dëshmuar të gjithë dëshirën për të qëndruar i lidhur pas “Zonjës”: “Jam një njeri me fat, sepse kam mundësinë të ndihem i dashur nga të tjerët: pas dhjetë vitesh te Parma në nivel shumë të lartë, kam mundësinë të kaloj 15-të vjet te Juventusi po në nivel shumë të lartë.

Nëse do të shkojnë gjërat vërtet kështu, do të isha i lumtur, sepse nëse dikush e ka këtë mundësi, do të thotë që nuk është një futbollist dosido”. Në fund, Bufoni ka dashur të sqarojë diçka që ka lidhje me problemet në sezonin e shkuar: “Vitin e shkuar më ka shqetësuar diçka: kur bëja një paraqitje të rëndësishme, por me ndonjë luhatje të vogël, menjëherë nënvizohej aspekti negativ, - komenton Xhixhi. - Tani e di që në ndeshjen e parë kur të bëj dy pritje të bukura, do të thuhet e shkruhet: ‘Bufon ka rilindur’. Por e vërteta është që Bufoni është gjithnjë Bufon. Nuk kam vdekur asnjëherë dhe nuk kam nevojë të rilind”.