Transferi i ri i Sunderlandit, Lorik Cana, është zotuar se do të jetë lider i skuadrës, ndërsa ka shtuar se është shumë entuziast që do të garojë në Ligën Premier.
“Ndjehem mirë. Është dita ime e parë në stërvitje, një klub i ri, dhe një aventurë e re për mua”. “Është shumë emocionuese të luaj në Ligën Premier. Sot kam kontaktin e parë me trajnerin, me Ericun (menaxherin ndihmës) dhe me bashkëlojtarët. Mezi po pres të luaj për Sunderlandin dhe të shënojmë disa rezultate të mira, sido që të jetë përshtypjet e mia të para janë të mira”. “Kam luajtur për dy nga skuadrat më të mira në Francë- te Paris (Saint-Germain) dhe te Marseille- dhe në Ligën e Kampionëve, që do të thotë se jam këtu që të ofroj përvojën personale te Sunderlandi dhe t’i ndihmoj skuadrës”. “Për mua Liga Premier është më e mira në botë, dhe të gjithë e dinë këtë. Kjo është arsyeja që kam ardhur këtu, ndërsa Sunderlandi është një vend i jashtëzakonshëm për të luajtur futboll dhe ka tifozë të shkëlqyer”. “Unë jam një fitues dhe e kam përvojën e duhur që të luaj në krye të ligës dhe do të mundohem ta bëjë këtë me Sunderlandin”. “Qëllimi im është të jap 300% nga vetja, të jem i fortë dhe të jem lider. Të jem lider është veti natyrore e imja. Dhe mendoj se loja ime është tipike britanike”, ka thënë mesfushori kuqezi për SAFC TV.