29 korrik 2009

Ibra, “tradhtari” i fundit i Serisë A

Nga Vieri te Shevçenko, janë të shumtë kampionët që kanë zhgënjyer tifozët e tyre me largime të papritura

Që kur kam qenë fëmijë, isha tifoz i Interit”. Fjalë dhe “muzikë” të Zllatan Ibrahimoviçit, por që para dy ditësh i fshin si me “telekomandë” me shprehjet dhe “veprat” e tij gjatë prezantimit me Barcelonën. Gjesti i Ibrahimoviçit, teksa puthte fanellën e klubit katalanas në daljen e parë publike, duhet të ketë krijuar sigurisht “dhembje të mëdha barku” (nëse do të thuhej në mënyrën e suedezit) për tifozët zikaltër. Një gjest i fortë ai i “gjeniut” nga Malmoe, para së gjithash në ditën e tij të parë “të shkollës”, duke shprehur besnikëri dhe dashuri ndaj ngjyrave të fanellës që do të mbajë veshur për pesë vitet e ardhshme. Sigurisht, nuk është shprehur se që “kur kam qenë fëmijë, bëja tifo për Barçën”, të paktën deri tani, sepse karakteri i suedezit është i brishtë dhe mund “të shpërthejë” nga momenti në moment. Një “tradhëti” pra, që lë pas ama shumë të tjera të ndodhura në Europë dhe para së gjithash në Serinë A. Ja disa nga më të famshmet.

KRISTIAN VIERI

Më 7 janar 2003, Kristian Vieri, “bomberi” zikaltër i betohet për besnikëri të përjetshme Interit dhe presidentit të tij Masimo Morati: “Do të luaj te Interi deri 38 vjeç. Morati ka thënë që do të qëndrojë përjetë dhe unë jam shumë krenar.” Por dy vjet më vonë, krejt papritur vjen transferimi te “kushërinjtë” e Milanit.

MAURICIO GANZ

8 janar 1998. Në Kupën e Italisë Milani gjunjëzon Interin me rezultatin 5-0. Mes protagonistëve të mbrëmjes ishte sulmuesi Mauricio Ganz, i cili kaloi te kuqezinjtë pak ditë para kësaj ndeshjeje. “Dhe shënon gjithnjë ai”. Ganzi vë “firmën” e tij në një nga pesë golat dhe feston para fytyrës së “kushërinjve” zikaltër.

ANDREI SHEVÇENKO

Andrei Shevçenko, i sapokaluar te Çelsi nga Milani në daljen e parë zyrtare me fanellën blu, gjatë trofeut “Comunity Sgield”, Superkupa e Anglisë, 13 gusht 2006, shënon kundër Liverpulit dhe feston, duke puthur fanellën e re. Menjëherë tifozët kuqezinj, por edhe lojtarët e Milanit nuk e miratuan gjestin e ish-idhullit të tyre.

FEDERIKO BALCARETI

Federiko Balcareti, pasi iu betua për besnikëri Torinos dhe shprehu të gjithë kënaqësinë e tij, duke qenë kapiteni i një skuadre triumfuese si ajo e “granatave”, për shkak të falimentimit të klubit në verën e 2005-ës, transferohet me çmimin zero te Juventusi, duke ndezur irritimin e tifozëve torinezë.

SAMUEL ETO

Gjatë festimeve për fitoren e Ligës, në maj 2005, Samuel Eto që sapo kishte ardhur te Barcelona nga Real Madridi, i befason me një parrullë tifozët madrilenë: “Madrid, cabron, Saluda al campeon” (Madrid mëndjemadh, përshëndet kampionët”. Një parrullë që u kritikua shumë në atë kohë, duke e vënë kamerunasin në shënjestër.

LUIS FIGO/1

Luis Figo, një vit para se të nënshkruajë me Real Madridin, pasi fitoi kampionatin me Barcelonën gjatë festimeve, doli në një ballkon duke kënduar: “Blancos, llorones, felicitad uno dei campeoni” (Madrilenë, të humbur, gjunjëzohuni para kampionëve”. Frazë që ndezi shumë polemika nga një yll si portugezi.

LUIS FIGO/2

Gjithnjë dhe sërish Luis Figo, pak ditë para se të mbërrinte te Reali i Madridit, duke tradhtuar Barcelonën, kishte deklaruar: “Nuk lëviz, do të qëndroj këtu”. Por ndodhi e kundërta. Portugezi nënshkroi me “merengesat”, duke i prerë në besë katalanasit, që nuk ia falën: sa herë që luante në “Kamp Nou”, vërshëllehej.

RONALDO/1

Ronaldo, pasi u riaftësua nga Interi pas dëmtimit të dyfishtë në gju, mbrëmjen e 31 gushtit 2002 arratiset nga Milano dhe shkon te Real Madridi, duke tradhtuar ndienjat e tifozëve dhe të presidentit Morati. Motivi? Mosmarrëveshjet e atëhershme me trajnerin Kuper dhe një kërkesë astronomike për rritjen e rrogës.

RONALDO/2

Fenomeni, pasi u stërvit me Flamengon, ekip me të cilin ka deklaruar gjithnjë se është tifoz që i vogël, lë kuqezinjtë e Brazilit për rivalët paulistë të Korinthiasit, duke ndezur irritimin e tifozëve dhe të presidentit. Ja justifikimi i tij: “E kuptoj zemërimin e tifozëve, por asnjë s’më paraqiti një projekt”.

ZLLATAN IBRAHIMOVIÇ/1

Në verën e 2006-ës gjatë skandalit të “Calciopolit”, Ibra kalon nga Juventusi te rivalët historikë të Interit, duke i zhgënjyer të gjithë bardhezinjtë, por para së gjithash, duke dalë me një deklaratë në ditën e konferencës për shtyp: “Jam interist që kur kam qenë i vogël, ndaj erdha në skuadrën e duhur”.

ZLLATAN IBRAHIMOVIÇ/2

Zllatan Ibrahimoviç, puth fanellën e Barcelonës pikërisht në ditën e prezantimit para 45 mijë spektatorëve në “Kamp Nou”. E njëjta situatë me atë të prezantimit me Interin, para katër vjetësh. Por këtë herë, deklarata e tij nuk është e ngjashme me atë ndaj zikaltërve: “Që i vogël ëndërroja të luaja me Barcelonën…”