Kristiano Ronaldo nuk është i shqetësuar për debutimin pa fitore të Realit në fushën e vet
Kristiano Ronaldo, që nuk kishte luajtur kurrë më parë në “Bernabeu”, ishte në formacionin e parë të rreshtuar nga trajneri Pelegrini kundër skuadrës saudite të Al‑Ittihad. Në krah të tij u aktivizuan edhe blerjet e reja, Karim Benzema dhe Ezekiel Garai. Megjithatë, kthimi në atdhe i skuadrës spanjolle nuk ishte e thënë të kurorëzohej me një fitore pas udhëtimit të tyre në Irlandë, pasi madrilenët barazuan 1-1 në Kupën e Paqes, madje spanjollët mund ta konsiderojnë veten me fat që nuk u mundën. Raul u dha vendasve epërsinë në minutën e 55-të, por Hisham Abusheruani barazoi pa kaluar shumë kohë, madje skuadra mike pati edhe disa raste të mira për të fituar dhe për t’ua prishur natën 30.000 tifozëve në “Bernabeu”. Kristiano Ronaldo megjithatë këmbëngul se askush nuk duhet të kapet shumë pas rezultatit të ndeshjes. “Ne donim të fitonim, por patëm përballë një skuadër të fortë. Rezultati nuk ka rëndësi, sepse jemi në fazë përgatitore dhe gjëja më e rëndësishme është të vazhdojmë të jemi në formë të mirë. Jam i lumtur këtu. Ajo që ndodhi është normale, sepse ne kemi vetëm 17 ditë që stërvitemi së bashku. Kryesorja është që të punojmë sa më shumë dhe ta nisim kampionatin sa më mirë”, ka deklaruar Ronaldo. Kur ylli portugez kapte topin gjatë ndeshjes, tifozët e Realit e brohorisnin dhe ai ua shpërbleu, duke treguar aftësitë e tij të veçanta, të cilat e bindën Realin të paguante 93 milionë euro, këtë verë. Ish-lojtari i Mançester Junajtid pati rastin më të mirë pak para përfundimit të pjesës së parë. Pas një kombinimi të mirë me Benzemanë, ai goditi me të majtën fort, por portieri mik ishte i vëmendshëm dhe e dërgoi topin në goditje këndi. Ronaldo, i kënaqur nga pritja e ngrohtë tifozëve, ka pranuar se prej tij dhe shokëve të tij të skuadrës pritet ende shumë. Në faqen zyrtare të klubit madrilen, ai ka thënë: “Jam shumë i lumtur që më në fund debutova në “Santiago Bernabeu”. Tifozët më kanë duartrokitur dhe kjo gjë më pëlqeu shumë. Në skuadër kanë ardhur shumë lojtarë të rinj dhe ne kemi filluar të kuptohemi me njëri-tjetrin. Mendoj që është më se normale që puna e madhe që po bëjmë në stërvitje të mos jetë ende e dukshme.” Sot, Reali i Madridit luan kundër skuadrës ekuadoriane Liga de Kuito.