30 korrik 2009
Në Dynamo për gola
Bekim Kastrati ka vendosur për të ardhmen e tij. Sulmuesi pejan të mërkurën ka nënshkruar kontratë njëvjeçar me skuadrën nga Bundesliga 3, Dynamo Dresden. Ish sulmuesi i Fortuna Duseldorfit është i lumtur që sezonin e ri do ta bartë fanellën e skuadrës nga stadiumi Rudolf Harbig, i cili është një klub me traditë në futbollin e Gjermanisë. “Sot (të mërkurën) kam nënshkruar kontratë njëvjeçare me Dynamon. Jam i lumtur që e kam gjet një ekip me traditë, i cili ka stadiumin e ri dhe gjithashtu ka shikues të flaktë sikurse Fortuna”, ka thënë Kastrati të mërkurën për Express. Dy sezonet e fundit Kastrati ka vuajtur nga lëndimet, të cilat për një kohë të gjatë e lanë jashtë fushës së gjelbër. Ai shpreson që me ekipin e ri mos ta përcjellin lëndimet, derisa synon t’u rikthehet golave. “Besoj se do të adaptohem te Dynamo dhe se do të zë vend në ekipin e parë. Shpresoj mos të kem lëndime dhe pas një kohe të luaj dhe të shendoj gola”, theksoi ish anëtari i Borussia Monchengladbach. “Qëllimi kryesor i Dresdenti këtë sezon nuk është inkuadrimi në Bundesliga 2. Nëse arrijmë të luajmë mirë, atëherë do ta synojmë Bundesliga 2”, shtoi reprezentuesi i Shqipërisë. Ish sulmuesi i Fortuna Duseldorfit nuk është i panjohur për ekipin e Dynamos. Ai në fillim të këtij muaji u testua te ky klub, ku i kaloi me sukses provat. Gjatë provave, Kastrati te Dynamo shënoi dy gola në ndeshje miqësore dhe e bindi trajnerin Ruud Kaise se meriton të jetë pjesë e ekipit për sezonin e ri. Kastrati në fanellën e klubit të ri pritet të debutojë në fundjavë, në ndeshjen Dynamo –Nurnberg, e cila do të zhvillohet në kuadër të Kupës së Gjermanisë.