Galiani e refuzoi ofertën e parë, por nëse shitet mesfushori, kuqezinjtë do të mendojnë për Shnejderin
Adriano Galiani nuk mund të përgënjeshtrojë më: oferta e Çelsit për Andrea Pirlon ka dy ditë që ka mbërritur në selinë e klubit, por është refuzuar nga ana e administratorit të deleguar kuqezi: “E refuzova menjëherë, sepse nuk na intereson”. Shumë e ulët për t’u marrë në konsideratë oferta e klubit londinez (Pizarron plus 8 milionë euro), e cila nuk është e mjaftueshme për shitjen e Pirlos, edhe pse ka mundësi që në fund mesfushori të qëndrojë te Milani.
Vazhdon kërkimi i “xhevahirëve” që mungojnë në projektin e Leonardos: një sulmues dhe një mbrojtës anësor. Silvio Berluskoni i do lojtarë të rinj, por elementët cilësorë kushtojnë dhe nëse nuk janë me kualitet dhe të përshtatshëm me idetë taktike të Milanit, më mirë ia vlen të mos merren.
Siç kanë thënë shpesh Galiani dhe Leonardo: “Nuk është se Milani duhet të blejë ndonjë lojtar patjetër”. Por duhet ta bëjë ka sqaruar trajneri, nëse kërkon të ketë objektiva madhorë, është e vështirë që të arrihen me buxhet minimal në dispozicion.
Në Spanjë flitet për një ofertë të Real Madridit, që Milanit ishte gati t’i shiste Gabriel Hajncen, i cili dje kaloi zyrtarisht te Olimpik Marseja (megjithatë argjentinasi nuk hynte në planet e kuqezinjve, për rrogë dhe për moshë). Nuk është tipi që Leonardo ka në mendje. Reali kërkon të shesë edhe holandezin Roben, por për një shumë të mirë milionësh. Për sa i takon Shnejderit, do të nxirret në merkato nëse në Madrid do të vijë Ksabi Alonso nga Liverpuli. Shnejderi mund të jetë akoma një zgjidhje e mirë nëse Pirlo do të nisej drejt Anglisë, por për momentin Milani nuk ka ndër mend të bisedojë për shitjen.