24 prill 2009

Zarate, Al Sadi rrit çmimin për lacialin

“Ekipi i Al Sadit ka konfirmuar vizitën e Lotitos për të negociuar për Zaraten pas sezonit të shkëlqyer, që ka bërë të rritet vlera e tij në merkaton europiane, - ka bërë të ditur klubi në saitin e tij zyrtar. - Pas marrëveshjes së arritur verën e kaluar për kalimin borxh të lojtarit, skuadra e Al Sadit do t’i japë përparësinë klubit bardhekaltër.
Cilësitë e Zarates i japin të drejtë Al Sadit të kërkojë një çmim të lartë për ta shitur”. Ndërkohë presidenti Lotito ka thënë: “Kur ma kanë ofruar Zaraten dhe e kam parë të luajë, menjëherë kam dërguar një bashkëpuntor për ta marrë. Sot të gjithë flasin për Zaraten, por kur e kam marrë tek Lacio askush nuk e njihet, kishte shumë dyshime.
Gjithmonë kam menduar se një lojtar nuk duhet vlerësuar në bazë të çmimit që ka apo rrogës që merr. Më pas është edhe meritë e trajnerit që arrin të marrë maksimumin nga lojtari, duke bërë të mundur integrimin e tij në një grup të fortë dhe të bashkuar, sepse në futboll duhet të luftosh me individualitetet dhe të mbështetesh tek kolektivi. Fitorja është shuma e sforcimit të secilit”.
Ndërkohë, Delio Rosi nuk ka fshehur lumturinë për arritjen e një objektivi të rëndësishëm siç është finalja e Kupës së Italisë:
“Ka qenë e rëndësishme për ne dhe e kemi merituar finalen, - ka thënë tekniku bardhekaltër. - Kemi eleminuar Milanin dhe Juven dhe duhet të them se jam i lumtur për lojtarët e mi. Por kjo skuadër ka shumë cilësi dhe ka në favor të saj moshën e re të lojtarëve. Shumë prej tyre kanë bërë debutimin e tyre këtë vit në një kampionat të rëndësishëm siç është seria A dhe besoj se e ardhmja është nga ana e tyre”.