29 prill 2009

Kthehet Curri: Dua të shënoj dy gola

Debatik Curri duket plotësisht i rehabilituar pas virozës gripale, që e detyroi të qëndronte nën kujdesin e vazhdueshëm të mjekëve. Mbrojtësi i Kombëtares shqiptare ka zhvilluar stërvitjen e parë me Vorsklan, pas disa ditësh regjim shtrati dhe u shpreh i gatshëm për të zbritur në fushë në takimin e radhës. Të dielën, skuadra nga Poltava luan në kampionat me Metalurg Zaporozhian, ku tri pikët cilësohen mjaft të rëndësishme për të marrë vendin e katërt në Vyscha Liga. "Dua të kthehem në shërbim të ekipit me dy gola që prej kësaj ndeshjeje", deklaroi 25-vjeçari duke qeshur. Më pas Curri shtoi: "Ndoshta do të ishte më mirë që këto rrjeta t‘i ruaja për ndeshjen e kthimit në gjysmëfinale të Kupës me Metalistin". Në 90 minutat e para, Vorskla barazoi 0-0 në fushën e këtij kundërshtari dhe më 13 maj do të ketë shansin të kualifikohet në finale.