28 prill 2009

U shuhen shpresat

Istogu, Drita dhe 2 Korriku janë dorëzuar. Këto skuadra zënë tri pozitat e fundit në tabelë me nga 20 pikë, derisa shpresat për mbetje në Superligë pothuajse u janë shuar. Por, edhe tri vende të tjera janë të rezervuara për një rang më të ulët garash, derisa ekipet më të rrezikuara janë Besiana, Ferizaj dhe Hysi.

Tri skuadrat që e përmbyllin tabelën e Raiffeisen Superligës së Kosovës në futboll - 2 Korriku, Istogu dhe Drita - kanë pak shpresa se mund të mbeten pjesë e shoqërisë elite të futbollit kosovar edhe sezonin e ardhshëm.

Pas 21 xhirosh, këto skuadra kanë grumbulluar nga 20 pikë, që i bie rreth 1 pikë një ndeshje, një statistikë mjaft e varfër. Andaj treshes së fundit ka filluar t’i shuhet shpresa për mbetje në Superligë.

Madje trajneri i debutuesit të Superligës Istogut, Gani Metaj, pothuajse është dorëzuar.
“Nuk janë shuar të gjitha shpresat, por gjasat për mbetje në ligë janë tejet minimale. Kemi ngelur prapa, i kemi humbur shumë pikë si vendës. Kemi pritur t’i tubonim më shumë pikë. Ne jemi të vetëdijshëm se si shkojnë rrjedhat e garave në fund të sezonit, ku mund të ketë edhe kurdisje. Kjo na vështirëson edhe më shumë punët”, deklaroi Metaj.

Ndërkohë, trajneri i Dritës, Milaim Zuzaku, është i vetëdijshëm se për skuadrën e tij do të jetë mision thuajse i pamundur qëndrimi në Superligë.

“Javë pas jave shpresat po zbehen, por derisa ka gjasa teorike, ne nuk do të heqim dorë, do të luftojmë deri në fund. Ne po vazhdojmë të luajmë mirë, por s’po kemi fat. Fati na ka kthyer shpinën. Në pranverë i kemi shënuar 2 fitore në shtëpi, ndërsa i kemi humbur 4 jashtë. Të shohim në fund.”, tha Zuzaku.

Në vështirësi të njëjtë qëndron edhe klubi prishtinas 2 Korriku. Klubi nga lagjja Arbëria shihet si njëri prej atyre që sezonin e ardhshëm do të garojë në një rang më të ulët garash. Mirëpo, trajneri i këtij klubi, Arsim Thaçi, nuk është shumë i preokupuar. Sipas tij, 2 Korriku ka arritur aq sa kishte mundësi.

“Ne nuk kemi ndonjë strategji apo ndonjë opsion se si të mbetemi në ligë. Me rëndësi për ne është të vazhdojmë të punojmë. Te ne nuk ekziston presioni i jashtëm nga kryesia apo diçka tjetër, jemi më të qetë. Aq sa kemi investuar, aq kemi arritur. Kemi një ekip të ri dhe të papërvojë, është gjithçka në kuadër të normales. Në 9 ndeshjet e fundit, 5 prej tyre i kemi në shtëpi, do të provojmë, edhe pse e pranoj se do ta kemi shumë të vështirë të mbetemi në ligë”, u shpreh Thaçi.

2 Korriku, Istogu dhe Drita kanë nga 8 pikë më pak sesa Trepça ’89, e cila është skuadra e parë jashtë zonës së ekipeve të rrezikuara për të rënë nga liga.

Përpos treshes së ekipeve të lartpërmendura, tri pozitat tjera që nuk sigurojnë vend në Superligë sezonin e ardhshëm po mundohen t’i evitojnë 5-6 skuadra. Po flasim për ekipet llapjane Besiana e Hysi, Ferizaj (të tri këto ekipe, më të rrezikuarat), por nuk janë aspak më të sigurta as ekipet mitrovicase Trepça e Trepça ’89 si dhe Ulpiana.

Tabela – Xhiroja e 21-të

1. Prishtina 21 23 49
2. Flamurtari 21 1 36
3. Vëllaznimi 21 6 34
4. Besa 21 6 32
5. Drenica 21 7 31
6. Kosova (V) 21 6 31
7. Gjilani 21 3 31
8. Ulpiana 21 1 29
9. Trepça 21 -6 29
10. Trepça ’89 21 -1 28
----------------------
11. Hysi 21 3 26
12. Ferizaj 21 -5 26
13. Besiana 21 -13 25
14. Istogu 21 -8 20
15. 2 Korriku 21 -9 20
16. Drita 21 -12 20