29 prill 2009

Gjyqtarë sllovenë dhe italianë për gjysmëfinalet

Në futbollin shqiptar vazhdon moda e gjyqtarëve të huaj për ndeshjet deçizive. Presioni i fortë që ekziston ndaj "xhaketave të zeza" vendase në momentet delikate, u ka hapur rrugën për herë të parë në këtë sezon të huajve. Pas kërkesave nga Flamurtari dhe Vllaznia, FSHF ka siguruar edhe "bilbilët" jo-shqiptarë për ndeshjet në Peqin dhe Tiranë. Sfida ndërmjet bardhebluve të Kolës dhe shkodranëve të Haxhiosmanoviç i është besuar një tresheje nga Sllovenia. Gjyqtar kryesor është Darko Çeferin, i cili mban stemën e FIFA-s që prej vitit 2000. Në 2002-shin ai ka drejtuar takimin e parë ndërkombëtar në Evropianin U-19, ndërsa në vitin 2005 gjykoi për herë të parë në fazën e grupeve të Ligës së Kampioneve. Asistentë të 31-vjeçarit janë Gregor Rojko dhe Robert Zirnstein, ndërsa gjyqtar i katërt është përcaktuar ndërkombëtari shqiptar, Albano Janku. Gjysmëfinalja tjetër e Kupës, ajo ndërmjet Shkumbinit dhe Flamurtarit, do të drejtohet nga një treshe italiane, me kryesor Gabriele Gavan. Ai është një prej "bilbilëve" të rinj në elitën e futbollit italian: gjatë këtij muaji ka regjistruar ndeshjen e 40-të në Serinë A. Asistentë të tij janë Xhanluka Kariolato dhe Xhanantonio Puxhoto. Edhe në këtë takim, në rolin e gjyqtarit të katërt do të jetë një tjetër arbitër që mban stemën e FIFA-s në Shqipëri, Sokol Jareci.