28 prill 2009

Finale, para finales

Guus Hiddink ka rindërtuar mbrojtjen e Chelseas për përballjen me fuqinë sulmuese të Barcelonës në krye me yllin argjentinas, Lionel Messi në ndeshjen e parë gjysmëfinale të Ligës së Kampionëve në Nou Camp. Pritet përballje e fortë mes filozofive të ndryshme të lojës – futbollit efektiv dhe atij ofensiv. Guus Hiddink është duke punuar rreth rindërtimit të mbrojtjes së Chelseas para ndeshjes së parë gjysmëfinale të Ligës së Kampionëve në Barcelonë. Trajneri holandez për ndeshjen në Nou Camp nuk mund të llogaritë në mbrojtësit e lënduar Ricardo Carvalho dhe Paulo Ferreira, si dhe Ashley Cole i suspenduar. Detyrën më të vështirë për mbulimin e yllit të Barcelonës, Lionel Messi ia ka caktuar Jose Bosingwas. “Të gjithë e dinë se nuk kemi zëvendësues natyral për pozitën e mbrojtësit të majtë, andaj duhet të improvizojmë. Kam vendosur që Bosingwa të luajë aty, pasi Ashley ishte ndëshkuar në ndeshjen çerekfinale kundër Liverpoolit. Kushdo që luan kundër Messis, ka detyrë jashtëzakonisht të vështirë. Messi është njëri prej futbollistëve më produktiv në botë. Por, në ditët e fundit kemi punuar me Bosingwan për pozitën në krahun e majtë”, deklaroi Hiddink. Bosingwa ishte paraqitur në krahun e majtë gjatë fitores 1-0 në udhëtim te rivali londinez, West Ham. Në këtë ndeshje, sulmuesi i Chelseas, Nicolas Anelka theksoi se sa me rëndësi është të mos pranojnë gol herët në Nou Camp – sikur Bayern Munich dhe Lyon në xhirot e kaluara të garës. “Kundër ekipeve si Barcelona është shumë vështirë të riktheheni, nëse pranoni gol të hershëm e sidomos në udhëtim, andaj duhet të jemi të kujdesshëm e sidomos në mbrojtje”, deklaroi ai. Chelsea e kishte mposhtur Barcelonën në fazën eliminatore të garës në vitin 2005, por humbi nga gjiganti katalan në fazë të njëjtë më 2006. Barcelona fillon gjysmëfinalen pas barazimit 2-2 në udhëtim kundër Valencias në La Liga – por vëmendja e tyre do të jetë pjesërisht te ndeshja e fundjavës kundër Real Madridit në Santiago Bernabeu. Për herë të parë gjatë gjithë sezonit, Barcelona nuk ka asnjë futbollist të lënduar. “Duhet të paraqitemi mirë sepse kjo është java më e rëndësishme e vitit. Nuk shoh lodhje të futbollistët. Ne jemi sikur një makinë”, deklaroi trajneri i Barcelonës, Pep Guardiola.