28 prill 2009

Ervin Skela, në 11-shen më të mirë të javës, përkrah brazilianit Diego

Pas shumë kohësh, më në fund Ervin Skela është rikthyer në formacionin më të mirë të javës në Bundeliga. Gjithçka është arritur pas një paraqitjeje të shkëlqyer të fantazistit të Kombëtares kuqezi në ndeshjen që skuadra e tij, Energie Kotbuz, fitoi 2-0 të shtunën përballë kryesuesit të kampionatin gjerman, Volfsburgut. Në takimin e luajtur në shtëpi, Kotbuz mori një tri pikësh me shumë vlera për në lidhje me mbijetesën në Bundesligë, por po ashtu e ndezi luftën për titullin kampion, pasi nuk u dha shanse "Ujqërve" të shkëputeshin nga ndjekësit më të afërt. Skela ishte protagonist i kësaj sfide. Ai kishte kërcënuar portën e kundërshtare në tri raste të mira për gol, por ishte ndalur nga portieri Bengali. Asisti për golin e parë, të shënuar nga Rangelov, mban firmën e tij. Për të ardhur më pas edhe te goli i shkëlqyer në minutën e 86, ku pas një pasimi të marrë nga shoku i skuadrës, Sorensen, arriti të zbulohet mirë nga mbrojtësi Barzali dhe të shënjestrojë cepin e portës, ku portieri kundërshtar nuk mundej të arrinte. Në përfundim të javës së 29 të Bundesligës, specialistët gjermanë të futbollit e kanë përzgjedhur atë në 11-shen më të mirë të javës, duke e komentuar kështu paraqitjen e tij: "Shqiptari ishte lojtari më i mirë në fushën ku Kotbuzi luajti ndeshjen e jetës, duke mundur kryesuesin e tabelës Volfsburgun në stadiumin ‘Freundschaft‘. Ai shënoi golin deciziv të fitores në minutat e fundit të ndeshjes, por edhe paraqitja e tij deri në atë moment ishte shumë mbresëlënëse", shkruante dje "Goal.com". Fantazisti e ka fituar vendin në formacionin më të mirë të javës së 29 (të vendosur në modulin 3-4-3), duke u pozicionuar në mesfushë përkrah yllit brazilian të Verderit, Diego, por edhe Sahin (Borusia Dortmund) e Andreasen (Hanover). 11-shja më e mirë dominohej nga Kotbuz, i cili, përveç Skelës, përfaqësohej edhe nga portieri Tremel dhe sulmuesi Rangelov. Goli i shënuar në portën e Volfsburgut është i dyti për shqiptarin në këtë sezon, ku ka qenë edhe autor i 5 asisteve në 26 ndeshje të luajtura në këtë sezon (1 herë si zëvendësues dhe 9 herë i zëvendësuar). Kontrata e Skelës, vlera e të cilit është 1 milion e 600 mijë euro (sipas Transfermarkt), skadon më 30 qershor të këtij viti, por nëse Kotbuz qëndron në Bundesligë, mund të kemi një rinovim të saj.