29 prill 2009

Ançeloti: Titullin e fiton Interi

Karlo Ançeloti do të qëndrojë në stolin e Milanit. Është vetë trajneri që e konfirmon këtë gjë: “Të paktën për vitin e ardhshëm do të qëndroj dhe po punojmë që të fuqizojmë skuadrën”. Edhe pse Milani ka lënë shumë pikë dhe tani ndodhet 7 pikë larg Interit, trajneri nuk ushqen shpresa, por s’ka as keqardhje: “Titullin do ta fitojë Interi, është skuadra që ka më tepër vazhdimësi”. Në fund rrëfen, se do t’i pëlqente të mos shmangte një darkë me Mourinjon.
Pra, nuk është Çelsi në horizont. “Ai është nje refren me të cilin jam mësuar dhe me siguri do të zgjasë akoma, por s’ka asnjë problem”. Siqodoftë trajneri kuqezi nuk e fsheh që në të ardhmen dëshiron të ulet mbi stolin e Romës: “Ky qytet më ka mbetur në zemër, - pranon. - Të drejtoj skuadrën verdhekuqe është një dëshirë të cilën s’e kam pasur asnjëherë mister”.
Dhe nuk është një mister, të paktën sa i takon Ançelotit, që titullin do ta fitojë Interi. Pa keqardhje: “Mendoj se renditja e Milanit pasqyron rendimentin që kemi pasur këtë sezon. Sezoni ynë është ndikuar nga dëmtime dhe pastaj Interi është skuadra më me vazhdimësi”.
Por jo vetëm kaq. Trajneri kuqezi rrëfen edhe një kuriozitet ndaj Mourinjos, pavarësisht nga provokimet e tij: “Do të doja ta njihja më mirë, për këtë do të doja ta ftoja për darkë”. Në fund, pavarësisht nga kritikat që e cilësojnë Milanin si skuadër të vjetër, Ançeloti vlerëson lojtarët e tij: “Do të doja të kisha lojtarë si Maldini, për të mos folur për Inzagin, që thuajse në moshën 36-vjeçare, e ka akoma nuhatjen dhe pasionin për golin”.