30 prill 2009

Pipo Inzagi: Ju prezantoj golat e mi

Ju propozojmë një lojë: ndani një portë në 15 sektorë të barabartë, merrni një top dhe filloni të gjuani: keni në dispozicion 150 gjuajtje për të shënjestruar, të paktën një herë, të gjitha sektorët. E lehtë? Ndoshta. Por mendoni ta bëni një gjë të tillë gjatë një ndeshjeje të vërtetë, dhe nga të gjitha pozicionet e zonës së rreptësisë. Pak më e vështirë. Por, Inzagi këtë lojë e ka fituar. Mjafton të shikosh 150 golat e shënuar në Serinë A nga ai.
ZONA E RREPTESISE - E dhëna më e dukshme është ajo që nënvizonte Galiani disa javë më parë, kur thoshte se nuk mbante mend një gol të Inzagit nga jashtë zone. Gjithmonë me fanellën kuqezi. Ndërsa, në total janë 6, prej të cilave 3 me Atalantën dhe 3 me Juventusin. Praktikisht asgjë. 144 të tjerët korrespondojnë me po aq sektorë të zonës së rreptësisë, me një preferencë për sektorin afër pikës së penalltisë: plot 71, ndërsa në zonën e vogël, atë të portierit, vendi ku Pipo kalon pothuajse 90 minutat e tij janë rregjistruar “vetëm” 48 gola. “Në fakt ndihem më mirë në një distancë më të largët nga portieri, - ka shpjeguar Inzagi -, sepse kështu është më e lehtë të gjesh hapësirat e nevojshme dhe pozicionet më të mira”.
NJE GODITJE DENIMI - E dhëna e tjetër që bie menjëherë në sy ka të bëjë me mungesën pothuajse totale të ekzekutimit të penalltive (9) dhe të goditjeve të dënimit (1): janë 140 golat me aksion. “I vetmi sezon ku kam qenë ekzekutuesi i penalltive për një ekip (Atalanta ‘96-’97) kam fituar titullin e golashënuesit të kampionatit me 24 gola. Ndonjëherë dikush më pyet se si është e mundur që e kam arritur një gjë të tillë në Bergamo dhe jo tek Juventusi apo Milani, por tek skuadrat e mëdha ka shumë kampionë dhe është normale që detyrat të ndahen”, thotë Inzagi.
ÇESHTJE KOHE - Kuriozitete të tjera: duke përjashtuar penalltitë dhe goditjet e dënimit, 67 gola janë shënuar me këmbën e djathtë, 40 me të majtën dhe 33 me kokë. Pothuajse një shpërndarje e barazvlefshme. “Të dish të shënosh me kokë dhe me të dyja këmbët është një gjë thelbësore për një sulmues. Kjo tregon se është më e rëndësishme zgjedhja e kohës në krahasim me strukturën fizike. Nuk është e vërtetë se me kokë janë më të mirë sulmuesit trupmëdhenj”.
GOLAT SI ISH - Sterkele, Ferron, Toldo. Bolonja, Sampdoria, Udineze. Janë portierët dhe skuadrat e mposhtura më shumë herë nga Pipo në serinë A. Më pas është Taibi, kundër të cilit Inzagi ka realizuar golin e tij të parë të një serie të gjatë: 29 tetor ‘95, derbi Parma-Piaçenca, Pipo është aktivizuar në minutën e 88-të dhe i ka dhuruar suksesin Parmës, 3-2, duke ndëshkuar ish-skuadrën e tij në minutën e 92-të të takimit. Një gol i shënuar në zonën e portierit. Mbase ky përcaktim nuk ishte i nevojshëm.