Atmosferë delikate në qendrën stërvitore të Juventusit, pas eleminimit të bardhezinjve nga Kupa e Italisë, edhe pse nuk ka ardhur kontestimi që pritej nga tifozët. Gjithsesi, përballë qendrës stërvitore është parë një mbishkrim: “Nuk kemi më kohë për të humbur me ju!”
Ndërkohë, administratori i deleguar i bardhezinjve, Zhan Klod Blank, ka vizituar ekipin dhe i ka ftuar të gjithë të mos demoralizohen në këtë moment të vështirë. “Përpara me Ranierin!” kanë përsëritur edhe një herë qëndrimin e tyre drejtuesit e klubit në një komunikatë për shtyp.
“Nuk është zhvilluar asnjë mbledhje dhe nuk është e vërtetë se po mendojmë ta zëvendësojmë Ranierin me Spaletin ose me ndonjë trajner tjetër. Qëndrimi i klubit në lidhje me këtë temë është përsëritur disa herë dhe është konfirmuar edhe në përfundim të ndeshjes me Lacion”, ka qenë përmbajtja e komunikatës. Blank dhe drejtori sportiv Alesio Seko janë larguar nga “Vinovo” pas rreth një ore pa lëshuar asnjë deklaratë.
KOBOLI BESON TE TRAJNERI - Xhiovani Koboli Xhilji provon t’i japë fund kontestimeve të tifozerisë: “Duhet të qëndrojmë të bashkuar. Një skuadër e madhe dhe një trajner i madh nuk duhet të befasohen nga fjalë të tilla.
Duhet të tregohemi të fortë dhe të ruajmë qetësinë, jemi në qendër të ciklonit, por kjo është një gjë normale për një klub që quhet Juventus. Këto janë rregullat e lojës dhe duhet t’i pranojmë…” Më pas presidenti bardhezi ka folur lidhur me emrat kryesorë që janë kontestuar nga tifozët bardh e zi: “Sigurisht, kam dëgjuar koret kundër Kanavaros.
Edhe kundër Ranierit, nuk e mohoj. Mund të them se operacioni Kanavaro nuk është mbyllur akoma, por nëse gjithçka do të shkojë siç duhet, do ta çojmë deri në fund. Lojtari është akoma i një niveli të lartë, pavarësisht moshës që ka. Nëse vizitat mjekësore do të jenë pozitive dhe kërkesat ekonomike jo shumë të larta, do të vazhdojmë përpara.
Përsa i përket Ranierit, mendoj se koret kundër tij janë më shumë të rëndësishëm, por nuk mund të harrojmë punën e mirë që ka bërë në të kaluarën dhe as që para dy javësh skuadra ndodhej në një pozicion të mirë. Unë konfirmoj atë që ka thënë Blank disa ditë më parë se, Ranieri do të jetë trajenri ynë edhe në sezonin e ardhshëm dhe jo vetëm deri në fund të qershorit”.
Të vetmen kritikë Koboli e shpreh për Kamoranezin: “Ka rënë në një kurth që një lojtar i madh si ai nuk duhet të kishte rënë. Nuk dua ta ngarkoj me shumë përgjigjësi, por duhet të tregohet më i pjekur”. Në moshën 32 vjeçare nuk është një kompliment…
RANIERI NUK DOREZOHET - Pavarësisht eleminimit nga Kupa e Italisë dhe kontestimeve nga ana e tifozerisë, Klaudio Ranieri ka deklaruar se nuk ka ndërmend të dorëzohet: “Unë nuk dorëzohem kurrë, - ka thënë trajneri bardhezi.
- Do vazhdoj të punoj fort deri në fund. Tani mungojnë gjashtë ndeshje nga fundi dhe duhet të përpiqemi të japim maksimumin”. Ranieri ka treguar edhe zgjidhjen për të dalë nga ky moment negativ: “Duhet të punojmë më shumë, gjithmonë. Donim të bënim presing ndaj Lacios, por nuk ia kemi dalë mbanë.
Mbajtja në stol e Del Pieros, Nedvedit dhe Kamoranezit nuk ka qenë një zgjedhje teknike, por një vendim i marrë, duke konsideruar se disa prej tyre nuk ishin në 100% të formës”, ka përfunduar Ranieri.