28 prill 2009

Ultrasit, të irrituar nga Juventusi

Një këshillë për drejtuesit e Juventusit: as mos ëndërroni ta shisni Iaquintën. Është i vetmi që gjatë këtyre ditëve të vështira meriton korin mbështetës të ultrasve. Janë pikërisht tifozët ata që i kanë idetë e qarta. Sipas tyre, Ranieri është një e keqe e madhe e skuadrës. Në tribunë ulen drejtues, të cilët janë objekte të koreve ofenduese e të vazhdueshme të tifozëve: presidenti Koboli Xhijli dhe bashkëpunëtorët e tij, Blank, Montali, Fasone dhe drejtori sportiv, Seko. Por në kor përmendet edhe një emër, të cilit duket se i referohen për t‘i kërkuar ndihmë: "Xhovani Anjeli, Xhovani Anjeli". Një gjë e tillë tingëllon si një ftesë për ndërhyrjen e familjes së famshme Anjeli... Tifozeria bardhezi është e ndarë dhe konfuze. Ajo kundërshton edhe perspektivën e merkatos së klubit. Dje ata kanë shfaqur një pankartë të re në lidhje me rikthimin e mundshëm të Kanavaros: "Mercenarët nuk i duam". Ndërsa vetë Ranieri ngre gishtin kundër Blank, i cili para pak kohësh është takuar me Marcelo Lipin, të përfolur si një kandidat i mundshëm për të marrë pankinën e bardhezinjve. Këtë takim ai i ka përkufizuar si një pengesë në ingranazhet e skuadrës, që po dëmton ecurinë". Zgjidhja pritet të mësohet në ditët e ardhshme.