29 prill 2009

Deshamp: Ranieri ka të drejtë, kini durim

Betise” në frëngjisht do të thotë budallallëk. Kështu i është përkthyer të hënën në mëngjes, nëpërmjet shtypit, Didië Deshampit, komenti i Klaudio Ranierit për të. Ish-trajneri i Juventusit ndodhet me pushime bashkë me djalin e tij. Duket se kolegu i tij, që i ka zënë vendin në krye të bardhezinjve, tani ndodhet në një situatë të ngjashme me të tijën, dy vite më parë.
Në të dy rastet kemi të bëjmë me fërkime me klubin në lidhje me objektivat dhe kohën që duhen arritur këto në raport me mundësitë, teknike dhe ekonomike. Ndoshta, është për këtë arsye që Deshamp i jep të drejtë Ranierit: “Edhe pse në atë kohë më është dukur zgjidhja e duhur, me kalimin e kohës kam kuptuar se ka qenë një gabim dorëheqja nga Juventusi. Por nuk ka qenë kjo arsyeja, për të cilën jam penduar më shumë”.
- Për çfarë atëherë?
- Për faktin se kam thënë se fitorja në kampionat ishte një utopi, një fjalë e rëndë që do të kisha bërë mirë të mos e thoja. Por fatkeqësisht ky ishte realiteti. Superskuadra që dominonte në Itali para rënies në Serinë B nuk mund të rindërtohet në 2 ose 3 vjet.
- Sa kohë duhet?
- Ekzistonte, dhe në mos gabohem, ekziston akoma një plan pesëvjeçar. Dhe duhen bërë zgjedhje të rëndësishme. Por e kuptoj se tifozët dhe lojtarët e Juventusit janë mësuar të fitojnë, kështu që presin gjithmonë të luftojnë për vendin e parë, jo për të dytin.
- Eshtë i njëjti problem që ka Ranieri. Ju si mendoni?
- Eshtë e vështirë të jepet një mendim nga jashtë. Unë nuk kam folur me Ranierin dhe nuk e di se çfarë problemesh ka. Nuk e di se kush vendos dhe se çfarë duan të bëjnë, sinqerisht nuk më intereson shumë. Por e di se Juvja nuk është një ekip si gjithë të tjerët dhe rezultatet nuk duhet të mungojnë.
- Sipas Marko Tardelit, që ka dhënë dorëheqjen nga këshilli administrativ i skuadrës një muaj mbasi e keni bërë ju, problemi është se Juventusi nuk ka drejtues që e njohin aq sa duhet futbollin?
- Unë nuk dua të flas keq për këtë klub. Kam shumë respekt për atë fanellë dhe për tifozët e saj, aq sa kam pranuar të shkoj në Serinë B për lidhjen që kam pasur me këtë klub dhe për të shpërblyer gjithçka më ka dhënë si futbollist. Por më pas vendimi që kam marrë unë nuk ka qenë i pamenduar. U largova sepse ekzistonin disa probleme.
- Çfarë këshille mund t’i jepni Ranierit?
- Asnjë këshillë, sepse Klaudio është më ekspert se unë, e di shumë mirë se çfarë duhet të bëjë. Unë mund të them vetëm se të gjithë kanë vuajtur shumë për atë që ka ndodhur tre vite më parë. Ka qenë një moment i tmerrshëm, në nivel ekonomik dhe sportiv. Përsëris, tre vite më parë dhe jo dhjetë. Megjithatë, që në këtë sezon Juventusi është paraqitur mirë në fazën me grupe të Championsit. Tifozët presin më shumë, por duhet të kenë durim.