28 prill 2009

Morati: Milani afrohet? Gjithë ato penallti…

Nëse Milani me Adriano Galianin në një mbledhje me Berluskonin, ka kujtuar golin me dorë që i ka kushtuar kuqezinjve humbjen dhe tri pikët në derbin e fundit, Interi është kundërpërgjigjur me një Masimo Morati shumë thumbues, i cili ka kujtuar 12 penalltitë që janë dhënë në favor të milanistëve gjatë këtij kampionati.
“Mendoj se në fillim do të numëroj penalltitë që janë dhënë në favor të Milanit dhe më pas do të shohim…”, ka thënë presidenti zikaltër para inagurimit të zyrave të reja të Interit. Në lidhje me humbjen kundër Napolit: “Mund të ndodhë një ndeshje që gjërat të mos shkojnë mirë.
Publiku napoletan është shumë i zjarrtë dhe ndoshta ky fakt ka vënë në vështirësi lojtarët tanë. Ka të drejtë Mourinjo, ishte një takim që duhej të kishte mbaruar 0-0, por kjo nuk mjafton kur një skuadër synon titullin”. Tani që avantazhi ndaj ndjekësve është ngushtuar, Moratit nuk i intereson se cili ekip është mbrapa, Milani apo Juventusi. “Janë dy skuadra të barazvlefshme, që kanë zhvilluar pak a shumë të njëjtin kampionat. Më shqetëson vetëm fakti se duhet të luajmë më mirë, -ka shpjeguar ai -, asgjë më shumë.
Gjithçka është në dorën tonë”. Numri një i zikaltërve nuk shqetësohet as për deklaratat e fundit të bëra nga Ibrahimoviç, i cili ka thënë se dëshiron të ndryshojë ambient: “Nuk më është dukur një gjë kaq e egzagjeruar dhe ndër të tjera ajo intervistë ishte dhënë disa javë më parë. Me Ibrën do të flas në ditët në vazhdim dhe nuk më është dukur aspak nervoz. Pak mosmirënjohës? Jo nuk jam dakord, mund të thuhet qetësisht e kundërta”, ka thënë Morati.
MOURINJO - Edhe trajneri i Interit, Hoze Mourinjo, mendon si presidenti i tij: “Jam pak i zhgënjyer, por jo i shqetësuar”. Humbja në fushën e Napolit e ka reduktuar në 7 pikë avantazhin e zikaltërve ndaj Milanit.
Një ndeshje, ajo e “San Paolos”, ku është parë një Inter larg formës më të mirë. Gjithsesi, portugezi Hoze Mourinjo, e ka analizuar takimin pa treguar asnjë shenjë shqetësimi: “Një ndeshje tipike për 0-0. E kemi kontrolluar pjesën e parë me një zotërim të topit që nuk frikëson asnjeri. Por në pjesën e dytë kemi luajtur poshtë vijës së mesfushës dhe kemi humbur kontrollin e takimit.
Napoli nuk ka bërë ndonjë gjë më shumë se ne për të shënuar, kanë realizuar një gol të bukur dhe mund të themi se këtë fat e meritonte më shumë Napoli se ne. Kanë zhvilluar një ndeshje më intensive. Skuadra po bën një kampionat të madh, dhe nuk flas keq për lojtarët e mi kur humbasim një ndeshje.
Nuk jam i zemëruar, por i zhgënjyer. Duhet të bëjmë autokritikë”. Në lidhje me pesë ndeshjet e fundit të kampionatit: “Nuk kam nevojë të shikoj se çfarë bëjnë Juventusi dhe Milani, - ka vazhduar Mourinjo. - Ne duhet të bëjmë 9 pikë, dhe unë jam optimist. Kemi privilegjin të mendojmë vetëm për vete. Jemi të fortë dhe të bashkuar”.