29 prill 2009

Xhon Elkan: Mjaft me fjalë, duhen fitoret

“Më shumë se për të folur trajneri dhe lojtarët, sidomos ata më të rëndësishmit, duhet të arrijnë të fitojnë ndeshjet e mbetura”. Këto janë fjalët e Xhon Elkan, presidenti i “Exor”, gjatë asamblesë së aksionerëve. “Juventusi është një klub që ne e zotërojmë prej shumë vitesh. Kemi nisur një udhëtim tre vite më parë, atë për arritjen e një futbolli të ekuilibruar, që do të thotë të marrësh rezultate sportive të rëndësishme pa shpenzuar një shumë të madhe parash”, ka thënë Elkan, duke iu përgjigjur një nga dhjetë pyetjeve të seleksionuara nga ato që janë bërë nga analistët.
Pyetja e parë kishte të bënte me arsyen se pse “Exor” vazhdon të mbajë Juventusin, edhe pse kjo nuk është fitimprurëse. “Nëse kemi sukses në rrugën që kemi zgjedhur, - ka vazhduar Elkan - atëherë do të jenë të kënaqur tifozët dhe aksionerët. Sot, padyshim, ekziston një zhgënjim sepse shoqëritë sportive duhet të fitojnë, e vetmja përgjigje është fitorja”. Në lidhje me mundësitë e Ranierit për të vazhduar aventurën e tij me bardhezinjtë, Elkan ka qenë i paqartë.
“Bilancet bëhen në fund të sezonit, nuk është momenti për të folur për këto argumente. Drejtuesit e Juventusit kanë çuar përpara projektin e një skuadre që duhet të marrë rezultate pozitive me kalimin e kohës. Kanë mbetur edhe 5 ndeshje nga fundi i kampionatit, të presim rezultatet”. Mbi mundësinë e rikthimit të Marçelo Lipit, Elkan ka përsëritur: “Eshtë një njeri që ka qenë gjithmonë afër Juventusit, por nuk është ky momenti për të bërë bilance”. Dhe përsa i takon përfshirjes së mundshme të familjes në këshillin administrues të skuadrës, që do të rinovohet në fundin e këtij sezoni, Elkan ka thënë se “për momentin nuk ka plane lidhur me këtë”.