29 prill 2009

Çelsi, Mançester Siti e Totenhem kërkojnë Eto‘o

Një lumë ofertash vërshon nga Anglia në drejtim të sulmuesit afrikan të Barcelonës, Samuel Eto‘o. Bomberi i katalanasve është shumë i pëlqyer në Premier League. Përveç Mançester Sitit, i cili i është vënë prej kohësh nga pas sulmuesit kamerunas, në fushë kanë zbritur si Totenhem ashtu edhe Çelsi, të cilët kanë hedhur në pjatë shumën e 30 milionë sterlinave. Megjithatë, sikurse ka bërë të ditur e përditshmja angleze "Daily Mail", presidenti i Barcelonës, Joan Laporta, ka fluturuar në drejtim të Londrës për të diskutuar me dy klubet londineze. Kështu që, edhe pse lojtari në skadencë kontrate vazhdon të përsërisë se dëshiron të qëndrojë te Barcelona, për të ofertat nuk po ndalen. Janë të shumta klubet, që do të kishin dëshira ta kishin në skuadër. Mes këtyre është me siguri Mançester Siti, që e ka vendosur kamerunasin në majën e listës së objektivave të merkatos. Por, tashmë, për ta prishur tratativën e gjatë të Sitit, i gatshëm të ofrojë për kartonin e tij plot 35 milionë sterlina (rreth 39 milionë euro), në skenë kanë dalë dy skuadra të tjera angleze, Totenhemi e Çelsi. Në Barcelonë këto oferta janë pritur shumë mirë: prezenca e tij në sezonin e ardhshëm të Kupës së Afrikës i bën ata të jenë në mëdyshje, ndërsa arkëtimet nga shitja e tij i bën të mbushin arkën. Prandaj, sipas tabloidëve britanike, presidenti i blaugranëve ka fluturuar në drejtim të Anglisë për të takuar drejtuesit e Mançester Sitit dhe më pas për të shkuar në Londër, ku Çelsi dhe Totenhemi janë të gatshëm të paguajnë në dorë.