28 prill 2009

Chelsea – Barcelona, pa gola!

Blutë e Chelseat kanë arritur ta ndalojnë me barazim pa gola ekipin e Barcelonës, në ndeshjen e parë gjysmëfinale të Ligës së Kampionëve të zhvilluar në Camp Nou.
Megjithëse ishin më dominues gjatë gjithë ndeshjes, vendasit nuk arritën të gjejnë golin e fitores, pavarësisht se kishin një morri shansesh, veçanërisht në minutat e fundit të takimit.

Pjesa e parë
Dyzetepesë minutat e para të ndeshjes i takuan Barcelonës që dominoi në posedim të topit dhe në raste, megjithëse nuk arriti të shënojë në portën e Petr Cech.

Chelsea u gjend shumë mirë në mbrojtje, duke penguar në pjesë të madhe vendasit të zhvillojnë lojën e tyre.

Shanset më të mira në radhët e blaugranëve në pjesën e parë i pati Thierry Henry i cili u vonua në disa raste të mira. Në anën tjetër me goditje nga largësia portierin Cech e testuan edhe Eto’o, Messi dhe Iniesta, por që nuk rezultuan me ndonjë ndryshim rezultati

Megjithatë rasti më i mirë në pjesën e parë, mbase dhe i vetmi, i takoi Chelseat. Një gabim nga mbrojtësi meksikan Rafael Marquez ia fali topin sulmuesit Didier Drogba, i cili i vetëm përballë Victor Valdez nuk arriti të shënojë, pasi goditja e tij u ndalua nga portieri spanjoll.

Pjesa e dytë

Edhe pse pritej një fillim më energjik i pjesës së dytë të ndeshjes, minutat e para të saj ishin krejt më ndryshe, me shumë ndërprerje për shkak të lëndimeve, që detyroi Pep Guardiolën të bëjë edhe një zëvendësim të detyrueshëm (kapiteni Carles Puyol në vend të Marquez).

Rrjedha e mëtejme e vazhdimit të ndeshjes sërish i takoi Barcelonës, që vazhdoi të kërkojë golin e fitores, por blutë në anën tjetër kryen mrekullueshëm detyrën e tyre.

Një rast të mirë pati Eto’o në minutën e 70-të të lojës, kur kaloi për mrekulli mbrojtësit mysafir, por goditja e tij u mbrojt nga portieri Cech.

Pjesa më interesante e pjesës së dytë, ishin minutat e fundit të ndeshjes. Barcelona ishte afër shënimit të golit në dy raste nga zëvendësuesit Bojan Krkic dhe Alexander Hleb.

Një harkim i topit nga Alves gjeti sulmuesin e ri spanjoll, goditja me kokë e të cilit përfundoi jashtë porte.

Shumë shpejt më pas, ish-mesfushori i Arsenalit, Hleb, patin rastin më të mirë për vendasit, duke u gjendur i vetëm në ballë të portierit, por goditja e parë e tij u ndalua nga Cech, ndërsa tentimi i dytë përfundoi larg portës.

Barazimi i shkon në favor Chelseat, që ndeshjen e kthimit, që zhvillohet pas një jave, pritet ta ketë më të lehtë pasi do të luajë para tifozëve të vet, në Stamford Bridge.